Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka bërë një adresim të rrallë nga Zyra Ovale, pas të shtënave të javës së kaluar në Kaliforni, të cilat kanë lënë të vrarë 14 veta. Obama ka thënë se të shtënat “kanë qenë akt i terrorizmit, me qëllim vrasjen e njerëzve të pafajshëm.
“…por, liria është më e madhe se frika”, ka thënë presidenti amerikan.
Ai është zotuar se Shtetet e Bashkuara do ta kapërcejnë kërcënimin në rritje nga terrorizmi, por ka thënë se “amerikanët nuk duhet të kthehen kundër njëri-tjetrit dhe të lejojnë që kjo luftë të përkufizohet si luftë midis Amerikës dhe Islamit”.
“Nëse jemi të suksesshëm në mposhtjen e terrorizmit, komunitetet myslimane duhet t’i përfshijmë në mesin e aleatëve tanë më të fuqishëm dhe jo t’i largojmë ata me dyshime dhe urrjetje”, ka thënë Obama, duke përkujtuar audiencën e tij se amerikanët myslimanë janë pjesë e shoqërisë së Shteteve të Bashkuara.