Skandal nepotizmi në sistemin gjyqësor në Korçë. Edhe ky lidhet me gjyqtarin Stavri Kallço, i cili disa ditë më parë liroi në gjyq personin që familja e inspektorit të punës e cilësonte vrasësin kryesor.
Gazeta Panorama shkruan sot se në Gjykatën e Shkallës së Parë të Korçës, një prej gjyqtareve të rrethit është Ariola Kristo, vajza e motrës së gjyqtarit të Apelit, Stavri Kallço. Nisur nga mbiemri nuk ka asnjë lidhje mes tyre, por nga verifikimi rezulton se lidhja është shumë e ngushtë familjare, pikërisht dajë e mbesë.
Deri këtu ndoshta nuk do të kishte konflikt interesi, nëse çështjet, qoftë civile apo penale, të cilat kalojnë nga duart e gjyqtares së Faktit të mos shkojnë në Apel, pikërisht te daja i saj. Ndërsa qytetarët nuk kanë se nga ta dinë lidhjen familjare që qëndron mes Kristos dhe Kallços, kjo nuk është e panjohur nga drejtuesit e gjykatave.
Pikërisht, për shkak të lidhjeve të ngushta që ekzistojnë, nuk mund të gjykohet e njëjta çështje, me të njëjtët të pandehur nga të njëjtët familjarë në shkallët e gjyqësor. Në fakt, ka ndodhur kur çështjet që janë gjykuar nga Ariola Kristo në Gjykatën e Shkallës së Parë të Korçë, të kalojnë po në Apelin e Korçës dhe po në dorën e dajës së saj, si pjesë e trupës gjykuese.
Nga verifikimi i thjeshtë në sistemin elektronik të të dhënave të të dyja gjykatave konfirmohet një fakt i tillë: Në çështje të ndryshme në Shkallën e Parë e ka gjykuar mbesa, ndërsa në Shkallën e Dytë e ka gjykuar daja.
Konkretisht është rasti i dosjes penale ndaj V.Musës e personave të tjerë, akuzuar për mashtrim. Nga ana e palëve të dëmtuara nuk ka pasur reagim për këtë lidhje nepotike, si duket edhe nga fakti i mosdijes për këtë lidhje të ngushtë familjare mes gjyqtares së Faktit dhe Stavri Kallços së Apelit.
Rasti është i këtij viti. Pikërisht, në prill të vitit 2015, gjyqtarja Kristo ka nisur shqyrtimin e çështjes penale ndaj V.Musës dhe të pandehurve të tjerë, me akuzën e mashtrimit. Pas përfundimit të procesit në Shkallën e Parë, çështja është apeluar.
Në 23 nëntor, dosja ka qenë në duart e trupit gjykues të drejtuar pikërisht nga daja i gjyqtares, Stavri Kallço. Gazeta po verifikon dhe raste të tjera të proceseve gjyqësore, ku mbesa e daja kanë kaluar të njëjtat çështje, penale apo civile qofshin ato.
Panorama