Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot nga Korça programin ekonomik të prezantuar nga kreu i PD Luluzim Basha, duke u shprehur se taksa 9 për qind u shërben të ashtuquajturve oligarkë që marrin direkt nga buxheti mbi 50 milionë euro.
“Vjen pala tjetër edhe thotë do ta bëjmë 9 për qind, taksën e sheshtë. Taksa e sheshtë është për më të pasurit, nuk u duhet 95 për qind të popullit. Vetëm nga taksa e sheshtë oligarkët do marrin direkt nga buxheti mbi 50 milionë euro, të cilat sot i fusin në buxhet si taksë. Kaq e thjeshtë është, kështu që problemi i madh që kemi këtu është hendeku midis fakteve, shifrave dhe perceptimeve që krijohen edhe nga propaganda, dezinformimi, padituria, dhe predispozita e njeriut për të besuar më shumë te gënjeshtra se te e vërteta.
Unë nuk besoj se Shqipëria ka një problem të tillë, apo qeveria është në kërcënim sa i takon sovranitetit të vendimmarrjes. Dëgjoja një argument që dikush bënte një koment për atë bombën e darkës në Dubai, problemi nuk është se ai është në tavolinë, problemi është se renta minerare është ulur. Vende të tëra e subvencionojnë, jo e ulin rentën minerare. Duhet të shohim sa arrijmë nga kontributi i këtyre aktorëve të mëdhenj në treg të përfitojë shoqëria. Jo të sakatojmë procesin e bërjes së pasurisë. Tony Blair ka thënë një fjalë që ka qenë themelore për transformimin e të majtës britanike, transformoi partinë laburistë nga një parti humbësish kronik në një parti fituesish: problemi nuk janë të pasurit, është varfëria”, tha Rama.
g.kosovari