Emisioni “Bardh a Zi” mbrëmjen e sotme në “ABC” hodhi në gjyq marrëdhënien e brishtë midis qeverisë dhe biznesit. Të ftuar në studio ishin shefi i kabinetit të Lulzim Bashës Dorian Teliti, zv/ ministri i Financave Besart Kadia, deputeti socialist Ervin Bushati dhe Gjergji Gjika.
Debati në studio ishte i fortë mes Telitit me Kadinë, i cili kaloi nga PD-ja në qeverinë socialiste dhe Bushatin. “Unë nuk jam si ti që në varësi të pozicionit ku jam ndryshoj fjalitë. Ti qëndro profesionit” i tha Teliti, Kadisë.
Ish-këshilltari i Lulzim Bashës, aktualisht zv/ ministër i Financave dhe Ekonomisë, Kadia duke iu referuar planit të PD-së me 5 pika për të ndihmuar biznesin nga pandemia, i tha Telitit që ta mbante në sirtar se nuk ka për t’u implementuar asnjëherë.
“Ti ke bërë një plan me 5 pika, por ekonomia Dorian nuk është partiake apo jo? Nëse do të biesh në këtë grackë, je shumë mirë, ja ku janë pesë pikat e Dorianit…Nga dje isha shumë i mirë, sot ndryshova Dorian. Ja ku janë 5 pikat, nëse ekonomia shqiptare….
Respekto kohën, ja ku janë 5 pikat, mund ta marrësh (i jep fletën me planin me 5 pikat). Dorian mund ta mbash se nuk ka për t’u implementuar ndonjëherë, aty mbaje në sirtar” tha ai.
“Besi mos merr veset e Rilindjes” ishte përgjigja e Telitit.
Në debatin me Telitin për taksat, Bushati tha se vetëm ata që marrin pagë mbi 4 mln lekë të vjetra në muaj mund të votojnë PD-në, pasi 50% e qytetarëve paguajnë zero tatim mbi fitimin për rrogën.
“Sot në Shqipëri 50% e qytetarëve paguajnë zero tatim mbi fitimin për pagën e tyre, vetëm në rroga mbi 4 mln lekë të vjetra në muaj është më e favorshme taksa e PD-së. Të gjitha ata që marrin mbi 4 mln lekë të vjetra në muaj janë të lutur të votojnë PD-në” tha Bushati.
g.kosovari