Autoritetet italiane kanë kapur 500 litra raki shqiptare në portin e Barit gjatë ditës së djeshme, pa dokumentacion tregtar dhe shëndetësor.
Mediat italiane bëjnë me dije se sasia e madhe e rakisë u kap gjatë një kontrolli rutinë nga Guardia di Finanza dhe autoritetet e portit, gjatë momentit kur një autobus po zbriste nga trageti.
Gjatë kontrolleve, ata kanë konstatuar 85 bidona plastike në një ndarje të fshehtë në brendësi të autobusit.
Rakia nuk kishte asnjë dokumentacion shoqërues dhe autoritetet italiane gjobitën shoferin shqiptar të autobusit, e kallëzuan në polici, si edhe sekuestruan sasinë e madhe të rakisë.
Ai akuzohet për veprën penale të pretenduar të kontrabandës me transport të paautorizuar të mallrave të akcizës.
Mediat lokale shprehen se automjeti i përdorur për transportin e paligjshëm, do t’i nënshtrohet konfiskimit dhe ndalimit administrativ për tre muaj.
/a.r