Pas 8 vitesh në opozitë, Partia Demokratike prezantoi sot planin ekonomik për vendin, në rast fitoreje në zgjedhjet e 25 prillit.
Në fjalën e tij, Lulzim Basha theksoi se ishte në gjendje të premtonte shumë më tepër, por ka sjellë një plan realist, të zbatueshëm dhe jo demagogjik.
Lexo.al analizoi të gjithë premtime njëri pas tjetrit, duke arritur në përfundimin e kundërt. P
Ja çfarë shkruan portali në fjalë:
Dyfishimi i të ardhurave për frymë. Një premtim kyç, që brenda mandatit do të dyfishohen të ardhurat për frymë. Sot, Shqipëria ka një PBB prej 15.3 miliardë USD që korrespondojnë me 5.300 USD për frymë. Për të pasur një PBB 30.6 miliardë USD dhe 10.600 USD për frymë, vendi duhet të rritet me 4 miliardë euro në vit ose 30% rritje ekonomike. Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e njerëzimit. i PAZBATUESHËM!
110 mijë vende pune. Në letër nuk duket ndonjë shifër e fryrë. Problemi i Bashës këtë herë është demografia. Janë 165 mijë të papunë në Shqipëri, nga të cilët 74 mijë kërkojnë vende pune. Me kaq vende pune, Shqipëria bëhet vendi i parë në botë që do të ketë një papunësi negative ndaj zeros. DEMAGOGJI
Subvencionimi 100% i kredisë. Familjet e reja, në total 20 mijë fillimisht, përfitojnë mbulim 100% të interesave të kredisë nga shteti. Një plan i tillë kërkon një shpenzim prej 1.2 miliardë eurosh menjëherë, sa ¼ e buxhetit. Është thjesht e parealizueshme, sepse nëse bëhet borxhi kapërcen mbi 100% që vitin e parë të zbatimit ose rritja ekonomike, përsëri duhet të jetë 25% që vitin e parë, që të justikojë këtë rritje të të ardhurave në buxhet. i PAZBATUESHËM
Bonusi për beben. Aktualisht në fuqi, por Basha do t’a modifikojë duke e ulur si shumë, por duke e zgjatur për 5 vjet. Pra çdo fëmijë përfiton 3.000 Lekë në muaj për 5 vjet. Përfitojnë 30 mijë familje thotë Basha. Në të vërtetë, nëse do të zbatohej do të përfitonin 150 mijë. PROBLEM SHUMËZIMI
90% e studentëve mbështeten financiarisht. Do të ishte një sforco kolosale, për të mbështetur studentët e familjeve me të ardhura nën 64 mijë lekë në muaj. Problemi i Bashës është që ai do të mbështesë ata për tarifat e studimit, që për studentët në nevojë janë që tani zero. Përsa i përket tarifave të studimit, sot mbështeten 100% e studentëve, me përgjysmim apo zerim të tarifës. ËSHTË NË FUQI QË TANI.
Shfuqizimi i taksave. Plani thotë tekstualisht: “Shfuqëzimi i shumicës së taksave vendore e kombëtare dhe konsolidimin e një liste të shkurtër të aplikueshme sipas praktikës më të mire botërore”. Nuk ka një praktikë botërore për taksat. Edhe në BE, çdo shtet ka taksat e veta ndryshe nga tjetri. Edhe në SHBA, 51 shtetet kanë taksa të ndryshme nga tjetri. Një praktikë botërore nuk ka. Përpos kësaj, si do të shfuqizohen taksat, të paktën shumica dhe si do të gjenerojë të ardhura shteti i ri? i PAZBATUESHËM
Akciza. “Akcizat, do të jenë të aplikueshme vetëm për nënproduktet e naftës, alkoolit dhe duhaneve në shkallë tatimore që shkojnë në linjë me praktikën më të mirë evropiane”. Çfarë do të thotë? Si jurist, Basha duhet të dijë që kompetencat e vendeve të BE-së ndahen në tre pjesë. Kompetenca të ndara, kompetenca pjesërisht të ndara dhe kompetenca eksluzive. Taksat janë tek kjo e fundit. Çdo shtet vendos eksluzivisht cilat taksa dhe cilat norma të përdorë. Nuk ka pra një praktikë europiane. Nuk ka as edhe një shpjegim si do të kompensohet efekti i të ardhurave të munguara*. i PAZBATUESHËM
Ndihma ekonomike. “Por njëherazi qeveria e Partisë Demokratike kurrsesi nuk nuk do të lere anash më nevojtarët. Sepse do te dyfishojmë ndihmën ekonomike për 60 – 70 mijë familje”. Pikë së pari, ishte qeveria demokratike që e la ndihmën ekonomike 1.500-3.000 lekë. Sot është 8.000 Lekë. Pikë së dyti, do të ndihmohen më shumë persona nga sa janë në ndihmë ekonomike sot. Pikë së treti, dyfishim do të thotë 6 milionë USD më shumë shpenzim mujor, 72 milionë USD në vit, në kushtet kur taksat do të shfuqizohen, të paktën shumica e tyre. NGA DO i GJEJË PARATË?
Subvencionet për fermerët. Basha premton dy gjëra. 100 milionë euro subvencione. KAQ SAC ËSHTË SOT. Sigurimin e fondeve për çdo kulturë bujqësore ose blegtorale. ÇFARË DO TË THOTË AUTORI?
Varfëria. “Ne angazhohemi ta zhdukim varfërinë ekstreme”. 18.5 milionë amerikanë janë sot në varfëri ekstreme sipas OKB-së. 16% e gjermanëve janë të varfër, nga të cilët një pjesë ekstremisht sipas “EUROSTAT”. Varfëria ekstreme, një femonen i dhimshëm, është fatkeqësisht pjesë e kapitalizmit, sistemit në të cilin jetojmë. Një premtim për reduktimin e saj do të ishte tërësisht i arsyeshëm. Zhdukje? Nuk ja ka dalë SHBA dhe Gjermania. Por, do t’ia dalë Basha. QESHARAKE