Gjatë intervistës me kryeministrin Edi Rama, studiuesja Belina Budini insistoi duke e pyetur kreun e qeverisë se cilat janë dështimet apo gabimet gjatë rrugëtimit të tij në politikë, por kryeministri nuk pranoi të japë përgjigje.
Lexoni më poshtë një pjesë të intervistës:
Budini: Z. Rama a konsideroni ju që keni pasur dështime apo gabime në rrugëtimin tuaj?
Rama: Nëse s’do të kisha pasur gabime, nuk do të kisha bërë kaq shumë punë. Do të duhej të mos bëja asnjë punë dhe kështu do të isha në rregull, s’do të bëja asnjë gabim. Duke llogaritur sesa shumë punë kam bërë, jam i bindur që do të kem bërë jo pak gabime me siguri, se shkojnë bashkë.
Budini: Koshient apo i ndërgjegjshëm, për çfarë lloj gabimesh jeni?
Rama: Nuk kam kohë të mendoj sot për të listuar gabimet, por një gjë është e sigurt, që di shumë mirë se cilat gabime nuk duhet të përsëris.
Budini: Diçka që do ta bënit ndryshe sot?
Rama: Unë gjithë kohës i bëj ndryshe gjërat, por ju nuk i vini re.
Budini: Cili është hapi për të cilin je penduar dhe për çfarë jeni më tepër krenar?
Rama: Ato për të cilat pendohem nuk i ndaj me ata që më studiojnë apo që më vëzhgojnë apo që më analizojnë, por i ndaj vetëm me atë që është aty për të kuptuar dhe falur.
Budini: Por në kuadër të një komunikimi demokratik politik? Liderëve të sotëm iu kërkohet që të pranojnë se diku kanë gabuar, është demokratike si formë komunikimi.
Rama: Unë ju sfidoj që të gjeni dikë tjetër që të pranojë gabimet publikisht dhe ka kërkuar ndjesë edhe për gabimet.
Budini: Në intervistën e fundit pata të ftuar ish-kryeministrin Berisha, i cili pranoi disa nga gabimet e bëra gjatë trajektores së tranzicionit në Shqipëri, në mënyrë konkrete, të drejtpërdrejtë. Këtë mesa di, e ka bërë edhe në hapësirën publike.
Rama: Ai është në një moshë të thellë pensioni. Prisni që unë të arrij atë moshë, nëse do të kem bekimin për ta arritur atë moshë dhe ju garantoj që do të bëjmë një tjetër bashkëbisedim dhe të shohim sesi do të jem, kur të jem në moshën e thellë të pensionit./ BW
g.kosovari