Ministri gjerman për ekonominë dhe energjetikën Peter Altmaier mbrojti të hënën marrëveshjen e investimeve Kinë-BE. Duke iu përgjigjur pyetjes nga CNBC nëse marrëveshja e investimeve Kinë-BE ishte një gabim taktik nga Bashkimi Europian, Altmaier tha që kjo marrëveshje nuk është “gabim” dhe mund të krijojë një mjedis të barabartë.
Në të janë kopjuar “shumë marrëveshje që ShBA-ja ka pasur me Kinën”, tha ai, duke shtuar se qëllimi është “për të krijuar një mjedis të barabartë”.
“Unë kam besim që mund të zhvillojmë, të negociojmë dhe të nënshkruajmë më shumë marrëveshje të tilla në mbarë botën dhe që edhe SHBA-ja do të veprojë në këtë mënyrë dhe do të negociojë me vendet e tjera të botës,” theksoi Altmaier.
Kina dhe Bashkimi Evropian arritën marrëveshjen e gjithanshme dypalëshe të investimeve në dhjetor 2020 pas bisedimeve 7-vjeçare. Një zyrtar kinez tha se kjo do të hapë më tej tregjet për investitorët në Evropë dhe Kinë.
“Çdo dispozitë në marrëveshjen Kinë-BE, ne mund të zbatojmë edhe me vendet e tjera,” tha Fang Xinghai, nënkryetar i Komisionit Rregullator të Letrave me Vlerë të Kinës në një intervistë për CGTN-in.
Edhe BE-ja e ka vlerësuar këtë marrëveshje, që presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e përshkruan si një pikë të rëndësishme referimi për marrëdhëniet e BE-së me Kinën dhe për “agjendën tregtare të bazuar te vlerat ” të saj.
Altmaier nënvizoi që “duhet të varemi më shumë nga tregjet e hapura dhe multilaterizmi”.
“Jemi në një gjendje kritike me recesion botëror dhe vendet e varfra po vuajnë më shumë. Kemi nxjerrë mësime nga krizat bankare dhe mund të ristrukturojmë zinxhirin e furnizimit,” tha ai, duke shtuar: “Problemi është si mund ta nxisim rritje ekonomike gjatë pandemisë, duke mos e bërë mjedisin edhe më të pabarabartë”.
Më shumë se 2 mijë përfaqësues të biznesit, qeverive dhe shoqërisë civile, si dhe 25 krerë shtetesh dhe qeverish kanë zhvilluar mbledhje virtuale për Agjendën e Davosit këtë javë, për të përballuar sfidën e COVID-19 dhe për të theksuar rëndësinë e bashkëpunimit global.