Ndërsa 25 prilli po afron, avokat Spartak Ngjela shprehet i bindur se në Shqipëri nuk do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme për sa kohë që sistemi gjyqësor nuk ka hyrë në shinat dhe të jetë i pavarur.
Gjatë një interviste, avokat Ngjela theksoi se vendi ndodhet në një kaos ligjor dhe se kjo situatë do të marrë fund me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.
“Shqipëria është në një situatë joligjore. Nuk funksionon ligji. Të parët që e kanë kapur me shumë seriozitet janë ndërkombëtarët. Pa pushtet gjyqësor të pavarur nuk mund të ketë zgjedhje të lira. Vonesa vjen nga ndërkombëtarët, shqiptarët nuk kanë asgjë në dorë”, deklaroi ai. Më tej gjatë fjalës së tij avokat Spartak Ngjela theksoi se ora e së vërtetës po afron dhe se ndërkombëtarët dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë në dorë fatin e të korruptuarve në Shqipëri. Sipas tij, shumë shpejt pritet të dislokohen në Shqipëri rreth 30 hetues amerikanë të cilët do të çojnë përpara luftën kundër korrupsionit. “Në Shqipëri ka një amulli, nuk dihet se çfarë do të ndodhë. Reforma antikorrupsion ka mbetur te Byroja Kombëtare e Hetimit. Byroja ka disa arsye që nuk po del. Kryesorja është se pse nuk po vijnë 30 hetuesit nga SHBA-ja, 30 shqiptarë që kanë dy shtetësi. Ata duhet të kishin ardhur brenda janarit, por janari po ikën. Është edhe Covid-i, si dhe zgjedhjet në SHBA. Nuk i di arsyet. Ndërsa, këta 30 tanët që janë zgjedhur, këta nuk mund të fillojnë punë pa shkuar 2-3 muaj në Amerikë. Ne po presim të vijnë ata 30 nga SHBA”, u shpreh ai.
Më herët avokati Ngjela ka deklaruar se pjesa dërrmuese e pushtetarëve aktualë dhe ata të qeverisë së mëparshme janë zhytur në aferë. Sipas tij me ardhjen e Joe Biden në krye të SHBA, reforma në drejtësi do të marrë një tjetër hov dhe shpresat janë që do të ndëshkohen të korruptuarit.
“Politika amerikane nuk e ka kuptuar që i gjithë korrupsioni i lartë shtetëror në Shqipëri është i bashkuar kundër reformës antikorrupsion? Po pse janë bashkë? Çfarë po e bashkon krimin shtetëror të dy krahëve të politikës, në Tiranë? Nuk janë bërë bashkë për pushtet. Të gjithë liderët e korruptuar duan të shkallmojnë reformën në drejtësi dhe as që duan t’ia dinë për zgjedhjet dhe pushtetin mes tyre, se nuk ka rëndësi për ta kush e ka pushtetin, mjafton që të shpëtojnë pronat dhe paratë nga reforma dhe nga akuza që duhet t’u ngrejë SPAK-u”, nënvizoi Ngjela.
/a.r