Rrugët e Shqipërisë bëhen shpesh skena të aksidenteve tragjike, të cilat vijnë si pasojë e shpejtësisë së tepruar dhe mosrespektimit të rregullave të qarkullimit. Por, çfarë tregon analiza mbi sigurinë dhe aksidentet rrugore, e përpiluar rishtazi nga Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor?
Drejtuesi i kësaj drejtorie, Blendi Gonxhja, ishte i ftuar në “Dita jonë” për të treguar më shumë. Ai thekson se në ndryshim nga vendet e BE, në Shqipëri ka një numër të lartë të aksidenteve ku përfshihen këmbësorët.
“Kjo nuk është vetëm një temë shqiptare. Kjo është një plagë e çdo shoqërie. 1,35 milionë njerëz humbin jetën çdo vit nga aksidentet. Çdo 24 sekonda një person humb jetën në aksidente rrugore. Te ne, aksidentet si pasojë e alkoolit kanë ardhur në rënie. Rripi nuk është arsye kryesore e vdekjeve, pasi shpejtësia te ne nuk është aq e lartë sa në botë. Megjithatë, studimet thonë se pjesa më e madhe e aksidenteve bëhen rreth 2 kilometra nga shtëpia dhe në këtë pikë nuk duhet ta nënvlerësojmë vendosjen e rripit sapo dalim nga shtëpia.
Ne kemi shumë aksidente ku përfshihen këmbësorët, ndryshe nga vendet e BE, jemi 11% më shumë, si dhe 17% më shumë aksidente në zonat urbane. Ne ende nuk kemi kulturën e duhur kur lëvizim në rrugë. Këtë vit, për herë të parë, kemi një sektor të edukimit dhe të prioriteteve speciale”, u shpreh Blendi Gonxhja.
Më tej, Gonxhja bëri të ditur një detaj interesant, ku theksoi se në 10 vitet e fundit është rritur numri i drejtuesve të automjeteve, ndërsa aksidentet janë ulur.
“Na ka bërë çudi, pasi në rrugët më të boshatisura, ne kemi pasur aksidente nga më të vështirat, sepse ka pasur një çoroditje për lëvizjen. Në krahasim me vitin 2010, sot ne kemi 86% drejtues mjeti të patentuar. Edhe pse kemi një rritje të madhe të drejtuesve, kemi një rënie të aksidenteve rrugore. Ka rënë indeksi i vdekshmërisë nga viti 2010”.
Gonxhja bëri të ditur edhe një tjetër detaj interesant, ku shkaktarët e aksidenteve rrugore janë 72% meshkuj dhe 28% femra.
g.kosovari