Ish-ministri grek, Sifi Valyrakis i cili dje humbi jetën pasi po peshkonte në ishullin e qetë Eretria ka dhe një të kaluar të dhimbshme, një pjesë të të cilës të lidhur edhe me Shqipërinë.
Valyrakis gjatë juntës ushtarake në Greqi, iu bashkua rezistencës, por përfundoi i arrestuar në 1971 duke e torturuar. Ai arriti të arratisej nga burgu, madje duke hipur mbi një tren tentoi të largohet për në Jugosllavi, por nuk ia doli pasi u kap në kufi.
Në rastin e dytë, ai vuante dënimin në burgun e Korfuzit dhe edhe nga aty mundi të arratisej po në 1971. Valyrakis notoi nga Korfuzi deri në Sarandë, ku e kapi patrulla kufitare shqiptare edhe pse erdhi për të kërkuar strehim në Shqipërinë e Enver Hoxhës.
Ai u dënua me tre vite internim nga një Gjykatë në Sarandë, teksa prej tyre 18 muaj i kaloi në kampin e Fierit.
Me ndryshimin e pushtetit në Greqi, Shqipëria komuniste ndryshoi qasje dhe e liroi Sifi Valyrakisin duke e larguar më pas drejt Romës.
”Nuk harroj dhimbjen e urisë, bukën me tallash, dhimbjen e të ftohtit të zhytur në baltën e dimrit, nxehtësinë e padurueshme nën tabelën e azbestit të valëzuar të çatisë së kampit shqiptar në verë”- ka rrëfyer më parë Sifi Valyrakis në kujtimet e tij mbi të shkuarën e dhimbshme.
Nga ana tjetër sipas mediave greke, një version tjetër vjen nga Shqipëria, ku Enver Hoxha e konsideronte Valyrakis një spiun të juntës greke, dhe e dënoi, por ishte kryeministri Andreas Papandreou që ndërhyu me kinezët dhe lëvizjen maoiste që ndërhynë tek shqiptarët që Valyrakis të lirohej.
Ndërkohë Mediat greke raportojnë detaje të reja nga vdekja e ish-ministrit grek të Rendit Sifi Valyrakis. Ai kishte shkuar në fundjavë për pushime në vilën e tij në Eretria teksa mori varkën dhe doli për peshkim.
Pasi u vonua, gruaja e tij njoftoi autoritetet dhe fillimisht u gjet varka me motor, por pa ish-ministrin në të.
Duket se ai ka rënë nga varka, dhe helika i ka goditur kokën duke e lënë të vdekur. Po ashtu bëhet me dije se Valyrakisit iu gjet një gisht i prerë në dorën e majtë.
Enigmë mbetet vetëm se si ra ish-ministri nga varka, dhe për këtë po hetohet në dy pista. Ose Valyrakis rrëshqiti nga varka, ose u përplas me një varkë tjetër dhe ra.
Sifis Valyrakis, me origjinë nga Chania, u zgjodh deputet për herë të parë në 1997 dhe shërbeu si ministër në qeveritë e PASOK.