Ministrja e Financave Anila Denaj deklaroi të premten se, rritja e pagave për mjekët në shërbimin parësor krahasuar me vitin 2013 është 56%.
E pyetur në emisionin “Java në RTSH” për rritjen e pagave për mjekët dhe arsimtarët, Denaj tha se, “rritja e fundit e pagave konsiston në rritjen e pagave të mjekëve dhe arsimtarëve. Është një rritje page për funksion, por nuk është rritja e parë e pagave për të dy kategoritë gjatë viteve të qeverisjes socialiste dhe kryeministri Rama e ka pasur në fokus që rritja e pagave për mjekët dhe mësuesit të ndodhte më parë. Edhe për shërbimin e punonjësve të policisë. Nëse e krahasojmë nga 2013-ta në 2021, ne flasim për një punonjës policie, i cili nga 58 mijë, pagën sot e ka 84 mijë dhe kjo është një rritje me 46%. Për një arsimtar rritja është diku me 18%, me dy rritje, nga 61 mijë në 72 mijë. Mjekët në qendrat shëndetësore shërbimi parësor nga 64 mijë në 100 714 mijë lekë”.
Denaj tha se, në këtë rritje deri në 100 714 mijë lekë kontributi kryesor ka qenë rritja me 40% që është bërë efektive në janar të këtij viti.
“Po ta krahasojmë me 2013-tën rritja është 56%”, theksoi Denaj.
E pyetur për taksat në panelin me analistët Preç Zogaj e Lorenc Vangjeli, Denaj tha se, “dhe në daljen e fundit që kemi bërë me kryeministrin Rama kemi prezantuar në një farë mënyre dy elementë të rëndësishëm të taksimit. Së pari që për individët për 97% të individëve ka ulje të barrës fiskale, sepse për individët të cilët janë kryesisht në një kategori page diku tek mesatarja. Dhe mesatarja e pagave është 58 mijë lekë në Shqipëri dhe shumica e personave të punësuar në Shqipëri janë në këtë kategori. Sigurisht taksimi progresiv, i cili uli dhe e çoi në zero deri në pagat 30 mijë. Kujtojmë që në kohën e Berishës ka qenë 10% për të gjithë. Ne e bëmë 0% deri në 30 mijë dhe e ulëm për të gjithë kategoritë, të cilat deri në pagën mesatare norma efektive ishte më e ulët se 10%”.
Denaj krahasoi sesa paguhej taksa e sheshtë përpara vitit 2013 për disa profesione dhe sa paguhet tani me taksën progresive. “Për një pagë fatorino 34 mijë lekë paguhej 3400 lekë, në kohën e qeverisjes Rama paguhet 520 lekë. Për një arkëtar, me një pagë 54 mijë lekë, në kohën e qeverisjes së PD paguhej 5400 lekë, në kohën e qeverisjes Rama, 3120 lekë. Sigurisht vjen një moment që pagat, të cilat janë mbi mesataren dhe flasim paga mbi 130 mijë lekë, fillojnë dhe barazohen ku dhe taksimi i sheshtë dhe taksimi progresiv japin të njëjtën. Ndërkohë mbi administratorin e një ndërmarrje të ndonjë dege banke me një pagë 157 mijë lekë neve shohim që në kohën e qeverisjes së PD ka qenë 15 700 lekë, në kohën e qeverisjes Rama është 17 mijë, pra është më e lartë. Por ne nuk kemi dalë me ndonjë tezë të kundërt, ne kemi thënë kush merr më tepër të ardhura, do të taksohet më shumë. E rëndësishme është se sa është numri i shqiptarëve në këto kategori dhe të gjithë statistikat në numër sipas kategorive të pagave tregojnë që për 97% të shqiptarëve ka ulje të barrës fiskale”.
E pyetur se sa parashikohet të jetë rënia ekonomike në vitin 2020 prej pandemisë, Denaj tha se, “shifrat finale të vitit 2020 do t’i kemi besoj në javët në vijim sepse INSTAT publikon tremujorin e fundit pak më vonë, jo në fillim të vitit, por kemi shifrat e tremujorit të tretë të cilat treguan se rënia ekonomike ishte më e ulët sesa rënia e tremujorit të dytë. Dhe normal sepse ekonomia në tremujorin e dytë ishte e mbyllur. Pati një rënie prej gati 10.23%. Ndërsa në tremujorin e tretë ishte tek 3.47%. Dhe rënia e 9-mujorit llogaritet në nivelin e 5.45%”, tha Denaj.
“Ne kemi parashikuar për gjithë vitin një rënie me -6.1%. Jemi të bindur që do jetë brenda këtij parashikimi”, tha ajo.
“Kjo”, u shpreh Denaj, “do të thotë që ekonomia është në recesion siç kanë qenë në recesion shumë ekonomi. Ne flasim për ekonomi si Greqia me -11%, Bullgaria me -5.5%. flasim për të gjithë vendet e prekura nga pandemia”.
Por, shtoi Denaj, “të mos harrojmë që pandemia nuk është e vetmja fatkeqësi që i ndodhi ekonomisë shqiptare. Ne vijmë edhe nga një goditje tjetër përpara kësaj që nuk duhet harruar edhe për dimensionin e goditjes në ekonomi sepse tërmeti i 26 nëntorit goditi qendrën e zonës ekonomike të Shqipërisë, Durrësin në veçanti”.
Denaj u shpreh se, “ne gjatë gjithë vitit 2020 nuk ulëm asnjë shpenzim që lidhej me shpenzimet kapitale. Ne prekëm shpenzimet për të adresuar nevojat e paketave apo rialokimet në sektorin e shëndetësisë, por në asnjë moment ne nuk prekëm shpenzimet kapitale, që janë investimet dhe këtë e bëmë pikërisht që të mos frenonim asnjë likuiditet të projekteve të nisura dhe investimet në ekonomi”.
“Këtë vit”, tha Denaj, “janë 7.2% e PBB investime. Në fakt është një vit ku shpenzimet kapitale janë më të forta, por janë edhe për të ndihmuar ekonominë”.
E pyetur për ndihmën ndaj biznesit në muajt e mbylljes së ekonomisë prej pandemisë, Ministrja e u shpreh se “në muajt e mbylljes ekonomike prej pandemisë, biznesi i vogël mori pagë minimale 26 mijë lekë, në atë kohë se tani është 30 mijë lekë, për personin që ishte i vetëpunësuar dhe për familjarin e deklaruar me zero deklarime. Për një familje 26 mijë bashkëshortit, 26 mijë djali apo bashkëshortja flasim për një buxhet gati tek 500 dollarë. 500 dollarëshi për atë familje në një kohë vështirësie ekonomike nuk është modeste”.
“Për biznesin e vogël, i cili ka qenë i mbyllur, ose i është dashur të largojë një numër të caktuar punonjësish për disa muaj, ndihma ka qenë e konsiderueshme. Për shtresat e tjera mendojmë që ne kemi kontribuar përmes formave të tjera, të garancive sovrane dhe të skemave”, u shpreh Denaj.