Pas vendimit të Serbisë për marrjen e vaksinës kineze, deputetja gjermane e partisë liberale, Renata Alt kritikon BE-në për dështim në ofrimin e vaksinës në Ballkan
Deputetja liberale e Bundestagut dhe anëtarja e Komisionit gjerman për Politikën e Jashtme, raportuese e grupit parlamentar për Europën Lindore, Qendrore e Juglindore, Renata Alt në një prononcim të saj për Deutsche Wellen e quan si sukses tjetër të propagandës kineze, vendimin e Serbisë për marrjen e vaksinës Sinopharm.
“Edhe nëse BE ka përgatitur një paketë shtesë milionëshe për Ballkanin Perëndimor, tempi i breshkës në furnizimin me vaksinën dëmton vënien nën kontroll me efektivitet të pandemisë në rajon. Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë të mbeten edhe më tej pas përpjekjeve të vaksinimit të vendeve të BE-së, kjo do t’i çojë ato më shumë në krahët e Kinës dhe Rusisë“, shprehet deputetja liberale, Renata Alt.
Kujtojmë se ditën e djeshme, pas kritikave të bëra nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat bënë jehonë edhe në mediat prestigjioze ndërkombëtare, për sjelljen e BE me çështjen e vaksinave për rajonin, Komisioneri për Zgjerim në BE, Oliver Varhelyi, ka dhënë lajmin se unioni ka nisur lëvizjet për të siguruar vaksinat anti-COVID për vendet e Ballkanit.
Mediat prestigjioze ndërkombëtare si “The Guardian’ dhe Associated Press pasqyruan shqetësimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe paralajmërimin se disa mund të shikojnë drejt Kinës dhe Rusisë teksa janë lënë vetëm.