Fiks Fare denoncoi një skandal në shëndetësi, ku një viktime nga Covid 19 i kanë vjedhur një pajisje oksigjeni me vlerë 5 mijë euro. Ferit Kasa, 70 vjeçar, ndërroi jetë në datën 1 shtator 2020 në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, Tiranë.
Gjatë kohës që ishte shtruar, personeli mjekësor i kërkoi familjarëve një pajisje për frymëmarrjen. Familja mori me qira 150 euro në muaj një pajisje B PAP dhe e çoi te Senatoriumi. Por, pasi 70-vjeçari ndërroi jetë, kjo pajisje është zhdukur. Senatoriumi shkruan në dokumente se e ka dorëzuar te Morgu i Tiranës. Kjo e fundit, i ka kthyer sendet personale familjarëve, por pa pajisjen e oksigjenit që kushton plot 5000 euro.
Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua vajza e të ndjerit, Silvana Kasa. Ajo tha se në fillim të muajit gusht 2020, babai i saj u prek nga virusi Covid 19. Pasi u mjekua fillimisht në Librazhd, ku dhe banojnë, z.Ferit Kasa u transferua në spitalin “Shefqet Ndroqi”, pasi kishte probleme shëndetësore. Disa pasi u shtrua te Senatoriumi, personeli shëndetësor u tha familjarëve se duhet të sillnin një pajisje për frymëmarrje me oksigjen, pasi spitali në atë kohë nuk e kishte.
Familjarët i drejtohen një biznesi privat dhe marrin me qira një pajisje B PAP, me një vlerë prej 150 euro në muaj. Këtë pajisje e dërgojnë në Spitalin “Shefqet Ndroqi”. Disa ditë më pas, z.Ferit Kasa ndërron jetë si pasojë e komplikacioneve të COVID 19. Trupi i të ndjerit transportohet në Morgun e Tiranës, pranë QSUT-së, sëbashku me sendet personale.
Pajisja u dorëzua në morg, nuk doli prej andej
Sipas një procesverbali, në momentin që ka shkuar te Morgu, i ndjeri kishte sende personale dhe aparatin e frymëmarrjes. Pra, aparati ka shkuar në morg. Ndërkohë, në po të njëjtën datë, 01.09.2020, trupi i të ndjerit është marrë nga familjarët. Sërish ka një procesverbal, ku drejtuesit e Morgut shkruajnë se janë disa sende personale, telefon, rrobat personale të vendosura në arkivol. Por kësaj here, nuk është shkruar aparati i frymëmarrjes. Sipas Silvanës, aparati është vjedhur në Morgun e Tiranës dhe kërkon që ti rikthehet, pasi ky aparat kushton rreth 4000-5000 euro. “Kam shkuar në Senatorium dhe më kanë thënë se aparati ka vajtur në Morg.
Më pas shkova në Morg dhe kërkova informacion. Më ka pritur juristi i cili ka marrë në telefon znj. Katrina Pepkolaj, e cila ka edhe emrin në procesverbal. Kjo zonjë i tha juristit se të gjitha sendet personale i ka futur në arkivol. Por, nëse do të ishin, duhet të shënoheshin në këtë procesverbal” përfundon Silvana. Pas denoncimit, gazetarët e emisionit “Fiks Fare” interesohen në Spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe në Morgun e Tiranës, se ku përfundoi aparati B PAP, që kishte i ndjeri Ferit Kasa në momentin që ndërroi jetë në spitalin COVID 2. Te Senatoriumi, infermierë dhe mjekë pohojnë se sipas procesverbalit, pajisja e oksigjenit B PAP është dorëzuar në Morgun e Tiranës. Sipas tyre, vjedhja mund të ketë ndodhur pikërisht në në Morg. TCH