Autoritetet amerikane vijojnë hetimet për trazirat e 6 janarit në Capitol Hill. FBI ka arrestuar një grua e cila dyshohet se ka vjedhur një laptop nga zyra e Nancy Pelosit dhe ka tentuar që t’ia shesë atë Rusisë.
Riley June Williams nga Pensilvania akuzohet për hyrje me dhunë, sjellje të papërshtatshme dhe hyrje pa leje në një zonë të kufizuar në Capitol, por jo vjedhje.
Një informator, që pretendon të jetë ish-partner i Williams, thotë se ka një video ku shfaqet mbështetësja e Trump të marrë një laptop ose hard disk nga zyra e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve.
Ai pretendon se gruaja e arrestuar planifikonte t’ia dërgonte pajisjen një miku në Rusi, i cili do t’ia shiste shërbimit inteligjent rus. Dy ditë pas sulmit në Capitol, zyra e Pelosit raportoi për një laptop të vjedhur nga dhoma e konferencave.
/a.r