Nga Ben Andoni
Thirrjet e studentëve por edhe e të gjithë shqiptarëve në ditët e rënies së Socializmit përmblidheshin në dy slogane themelore. E para ishte “Liri, Demokraci” dhe e dyta: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”. Në thelb të të dyjave ishte një dhe i vetmi qëllim: Të jemi normal…si Perëndimi. Dhe, të ishe normal për ta ishte të silleshe dhe të komportoheshe vetëm si Perëndimi. Asokohe politologu Krastev, që do të hedhë një ide vite më vonë për kopjimin e demokracisë në formën e Perëndimit, ishte krejt i padëgjuar në Shqipëri, ca më shumë në mes të studentëve, qëllimi i të cilëve fillimisht fokusohej te problemet e tyre direkte, që lidheshin me rregullimin e kushteve dhe pak orë më vonë dolën në skenë me kërkesat politike, që çuan në Pluralizmin e nevojshëm politik. Sensi ynë nuk është për të treguar këtë rrugë, që sa më shumë vite po kalojnë aq më shumë po e mbushin rrugët e konspiracionit, por imitimi i lodhshëm, plotësimi i çdo lloj gjëje dhe deri ëndërrimi në frymën e Perëndimit. Vetë Krastev shumë vite më vonë në një intervistë do ta sqaronte me shumë elegancë këtë fakt. “Ëndrra e evropianëve lindorë për të pasur një jetë normale në vendet e tyre do të thoshte të jetoje si në Perëndim. Në këtë kuptim, imitimi i Perëndimit – institucionet, normat dhe stilet e tij të jetesës – u pa si rruga më e shpejtë drejt normalitetit. Por që nga ajo kohë, ndodhën disa gjëra që nxitën pakënaqësi kundër politikës së imitimit”. Reagimin e saj, Shqipëria e pati nga një politikë, që në emër të imitimit të Perëndimit ose të Liberalizmit e çoi deri në zgrip. I ashtuquajturi Çeku i Bardhë, që u hodh si ide për një model ekonomie shumë të avancuar, filluar nga toka djerrë, rezultoi se ishte katastrofë për ekonominë tonë të dërrmuar dhe prishi resurse të ngritura me shumë para, energji me një modul jo thjesht të papërshtatshëm por edhe tejet agresiv. Nuk është se vetëm ky model do të ishte shkatërrues por edhe një numër masash në ekonomi për privatizimet, përshtatjet në politikën e punësimit dhe rikonstruktimet e administratës do të vazhdonin me dëme të pariparueshme. Mbi të gjitha të pakuptueshëm për masën. Sa i përket fushës politike ato do të kopjoheshin pa asnjë bazë dhe shtrembër nga Perëndimi, duke kalcifikuar një klasë politike që ende sot e kësaj dite është në krye të punëve të vendit, por mbi të gjitha drejtimin aspak rentabël të tij.
Por nuk ishte vetëm Shqipëria. Bota e vogël e Lindjes, e ardhur nga Socializmi i dështuar, tregoi shumë e shumë paqartësi. Lindja ishte krejt e paqartë në politikat monetare dhe në të gjithë produktin, që solli kopjimi i modeleve politike dhe ekonomike të Perëndimit. Shpejt, mosfunksionimi i duhur tregoi se modelet e marra jo vetëm nuk mund të kopjoheshin, pa u përshtatur si duhet, por edhe ishim të dëmshme në disa vende. Sërish na vjen në ndihmë Krastev, i cili në një intervistë që zhvilloi pak kohë pas botimit të librit të njohur “The Light That Failed: Why the West Is Losing the Fight for Democracy” me Stephen Holmes (përkthyer edhe në shqip), e përmblodhi me tre arsye dështimin e imitimit nga kopjimi i shëmtuar: “Së pari, kriza financiare e viteve 2008-2009 vuri në pikëpyetje vetë modelin e Evropianëve Lindorë që ishin aq të etur për të imituar. Së dyti, Evropianët Lindorë po imitonin modele që ndryshonin vazhdimisht dhe për shumë evropianë të Lindjes, drejtimi i madh konservator në të cilin po shkonte Perëndimi nuk ishte drejtimi që ata donin të ndiqnin. Dhe e treta, dhe ndoshta më e rëndësishmja, revolta populiste në Evropën Lindore është një revoltë kundër pozitës së rajonit të një imituesi në një mjedis kulturor që këmbëngul se ajo që ka rëndësi është të jesh unike dhe origjinale. Në shumë aspekte, revolta e populistëve të Evropës Lindore i ngjan revoltës së një brezi të dytë të migrantëve të cilët tentojnë të dyshojnë drejt ose gabimisht se trajtohen si qytetarë të klasit të dytë”, përgjigjej ai.
Vetëm se a ishte vallë ky moment ku mund të ngjallej një optimizëm apo një udhë tjetër?! Kjo theksohet shumë, pasi Perëndimit nuk i dilte dalldia nga madhështia e fitores mbi Lindjen që kishte rënë në gjunjë dhe fitorja e ashpër e Luftës së Ftohtë ku tashmë imitimi i Demokracisë Liberale për Lindorët ishte jo normë por detyrë, sipas tyre. Huntington, politologu i shquar, i kthjelloi të gjithë me një ide të qashtër, kur në artikullin e titulluar “Democracy’s Third Wave,”, botuar në “Journal of Democracy”, evokoi kohën e dy valëve të mëparshme të demokratizimit, nga vitet 1820 në 1920 dhe nga 1945 në 1960, që si pasojë kishin sjellë edhe “valët e kundërta”, në të cilat “sistemet demokratike u zëvendësuan. . . nga format historikisht të reja të sundimit autoritar ”. Dhe, në argumentin e tij, “Një valë e tretë e kundërt ishte e mundur, nëse fuqitë e reja të mëdha autoritare mund të demonstronin qëndrueshmërinë e vazhdueshme të sundimit jodemokratik” ose “nëse njerëzit në të gjithë botën vijnë për të parë Shtetet e Bashkuara”, një kohë e gjatë një fener i demokracisë, “si një fuqi e venitur nga ngecja politike, joefikasiteti ekonomik dhe kaosi shoqëror ”. Ngjarjet e fundit në Kapitol e tronditën botën, Perëndimin dhe e bënë Lindjen të kthjellohet për imitimin e shëmtuar, përfshirë dhe Shqipërinë. Kurse autoritetin e padiskutueshëm të Huntington dhe fuqinë e tij të parashikimit të logjikës shkencore na e bëri që ta kujtojmë rrugën e hidhur ku jemi. Dhe, provat i shohim te vendet më të fuqishme të Lindjes dhe kahun e tyre sot. “… Hungaria dhe Polonia – qëndrojnë jashtë modeleve kryesore kauzale të vëzhguara globalisht në epokën e Valës së Tretë: me një rrëshqitje nga demokracia në një lloj regjimi hibrid ose autoritar që zakonisht mbështeten nga pabarazia e mprehtë shoqërore e përbërë nga ndarjet etnike, që i shtohen mungesa e elitave në vlerat liberale-demokratike; zhgënjimet socio-ekonomike të gjeneruara nga Recesioni i Madh dhe pasojat e krizës së Eurozonës; modelet e institucionalizuara të konkurencës populiste të polarizuar etj., në Rethinking “democratic backsliding” in Central and Eastern Europe – looking beyond Hungary and Poland , të autorëve Licia Cianetti, James Daëson & Seán Hanley. Po Shqipëria? Kopjimi dhe imitimi i shëmtuar e ka bërë që të humbasë prej kohësh njohjen e problematikave të vërtetë të vendit, rrugën ku mund të shkojë mbështetur në resurset e veta dhe më shumë akoma identitetin demokratik, të cilën ia rrezikon shumë edhe një elitë politike, e cila në emër të demokracisë, nuk lejon asnjë normalitet demokratik me kushtet dhe specifikat e vendit. Për të mos folur këtu me mungesën e një modeli ekonomik. Bash, atë që e kërkon realisht Perëndimi, të cilit i kopjojmë shëmtuar vetëm formën e vet. Në mos Perëndimi, ata idealistë që bashkë me studentët thërrisnin ato ditë të ftohta të vitit 1990: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”. (Homo Albanicus)