Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi thotë se përveç Elbasanit dhe Fierit, në zgjedhjet e 25 prillit mund të kandidojë edhe në dy qarqe të tjera, në Tiranë dhe Durrës.
Në një intervistë për News24, kryetarja e LSI u shpreh se është duke e diskutuar kandidimin në këto dy qarqe, pasi kodi i ri tha ajo i lejon kryetarit të partisë të kandidojë në 4 qarqe.
“Monika Kryemadhi do të kandidojë në Fier dhe Elbasan, por për hir të së vërtetës kodi që Rama do ti prishte punë opozitës e favorizon pak LSI-në, për ti dhënë mundësi të krijojë më shumë hapësira për gratë dhe vajzat dhe atyre që vijnë nga bota akademike”, u shpreh kryetarja e LSI-së.
Pyetje: Do të jetë emri juaj edhe në listën e Tiranë?
Kryemadhi: Nuk e kam menduar, ka kohë deri atëherë edhe për Tiranë edhe për Durrësin. Me kodin e ri i jepet mundësi kryetarëve të partive të jenë në 4 qarqe
Pyetje: Pra mund të jeni edhe në Tiranë edhe në Durrës, përvec Elbasanit dhe Fierit?
Kryemadhi: Për tu parë është, interesante duket.
Koalicioni me PS?
E pyetur për një koalicion me PS, Kryemadhi u shpreh se nuk bën koalicion me Rilindjen.
“PS është e tëra në LSI, baza e saj. Ne nuk bëjnë koalicion me rilindjen.
Rilindja është sekti që ka grabitur vlerat e PS. LSI është parti e qendrës së majtë dhe ka ardhur si pasojë e arrogancës së lidershipit të asaj kohe.
Koalicioni i LSI është me ata që duan të jetojnë dhe të krijojnë hapësirat e tyre për të punuar në Shqipëri”, u shpreh kryetarja e LSI-së.