Vijojnë ende pa një marrëveshje negociatat e Lulzim Bashës me disa prej aleatëve të Partisë Demokratike, mes të cilëve edhe Partinë Republikane. Ecurinë e procesit që duket se nuk është aspak i lehtë e konfirmoi edhe kreu i opozitës Lulzim Basha, ku treshja e negociatorëve në selinë blu duken larg përmbushjes së pritshmërive të republikanëve, të cilët kërkojnë në lista të sigurta tre mandate deputeti, dy në qarkun e Tiranës dhe një në Fier.
Vështirësinë e këtyre negociatave e pranoi edhe Fatmir Mediu, i cili i kërkoi kryedemokratit që të vlerësojë peshën elektorale të forcës politike që ai drejton, bazuar në historikun e votave të republikanëve, të cilët kanë prodhuar në zgjedhje 4 mandate deputetësh.
Përballë presionit në rritje të aleatit 30-vjeçar, i cili ka paralajmëruar edhe daljen më vetë në zgjedhjet e 25 Prillit, Basha tha se së shpejti pritet edhe vendimi.
Fatmir Mediu kërkon që grupi i negociatorëve në selinë blu të vlerësojë çdo kandidat potencial të republikanëve, i cili votat i përkthen në fitore të opozitës në zgjedhjet e 25 Prillit. Por Lulzim Basha duket se nuk ka negociata të vështira vetëm me republikanët. Ende pa marrëveshje janë edhe aleatë të tjerë, si PDIU, LSI e PBDNJ. Parimisht marrëveshjen demokratët e kanë mbyllur me PAA-në e Agron Dukës, LZHK-në dhe PDK.
/a.r