Nga Artur Ajazi
Lulzim Basha po përmbyll këto ditë proçesin e zgjedhjes së atyre,që ai i quan “drejtuesit politik” në rrethe, dhe që do të jenë ndryshe “armiqtë” e rinj të partisë pas humbjes së 25 Prillit. Ndoshta ai qëllimisht ka përzgjedhur emra nga garda e vjetër (duke mos kursyer edhe të rinjtë) si Paloka, Marku, Leskaj, Bushati, Alibeaj,Bardhi, dhe të tjerë të cilët do të jenë përgjegjësit kryesorë për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe rezultatin e tyre. Një fitore e mundshme i “ngre” ata në qiell,ama një humbje e sigurtë, do ti flakë ata nga rradhët e Partisë Demokratike.
Ndoshta qëllimisht Lulzim Basha nuk po deklaron më para mediave dhe konferencave të shtypit se “çfarë do të bëjë ai në rast se humbet zgjedhjet”, duke paracaktuar fatin e tij përmes “komisarëve politikë” që po delegon në rrethe. Si mund të besosh se zgjedhjet në 25 Prill do ti fitojë Paloka në Durrës, Gazi në Elbasan, Marku në Lezhë, Alibeaj në Fier, apo Bushati në Shkodër, etj, kur dihet si kanë dalë deri tani jo vetëm rezultatet e zgjedhjeve të kaluara atje, por edhe sondazhet nga shoqata të pavarura politikisht, e nxjerrin PD në nivele skandaloze, dhe e rendisin atë as forcë e tretë. Por Lulzimi (ashtu si Berisha dikur) ka vendosur të “zbulojë” pas humbjes grupin e ri të “armiqve” të partisë. Edhe pse dihet se situata në bazën e asaj partie mbetet krktike, edhe pse dihet se në degët e rretheve janë larguar dhe po largohen çdo ditë qindra e mijëra anëtarë dhe militantë duke marrë me vehte zhgënjimin nga kryetari saj, edhe pse dihet se strukturat dhe forumet vartëse të asaj partie në rrethe janë inekzistente, Lulzim Basha e ka vendosur qysh tani fatin e tij. Drejtuesit politikë në rrethe, do të jenë prej javës së parë të muajit Shkurt, të atashuar pranë degëve të PD në rrethe, ndërkohë që në Tiranë ende nuk ka një regjistër të rregullt me statistika zyrtare mbi numrin e anëtarësisë në shkallë vendi.
Degët e asaj partie në rrethe, pothuajse nuk funksionojnë prej vitesh,ndërkohë që i vetmi moment kur janë parë turma njerëzish në zyrat e tyre, ka qenë organizimi i protestave me autobuzë të parapaguar dhe ushqime me vehte, nga fondet e PD. Bashkë me “listat e reja” Lulzim Basha po harton me kujdesin më të madh, edhe planin e goditjeve ndaj “shkaktarëve” të humbjes pas 25 Prillit. Ai po detajon çdo imtësi, nga akuzat ndaj drejtuesve politikë, deri tek shkarkimi kryetarëve të degëve në rrethe, dhe “mosnjohja e rezultatit”. Eshtë një stradegji e mirëstudiuar nga “mësonjësi” i Lulit, i cili po kërkon shpëtimin nga çdo përgjegjësi morale dhe partiake, humbësin e përjetshëm. Edhe zërat e dëgjuar ditët e fundit mbi “fatin e kryetarit në rast se humbet zgjedhjet”, po shuhen me lezet nga influenca e Doktorit në zyrat e Partisë Demokratike. “Lulzimi nuk duhet të preket pas 25 Prillit”. Kjo është porosia e “të Madhit”, i cili edhe për humbjen e 25 Prillit, natyrisht do të bëjë “fajtorë” drejtuesit politikë të rretheve, edhe pse ka prej tyre, emra të veçantë (si Marku) që u flakën nga partia si të pabindur, dhe i besuan thirrjes së Lulzimit dhe u joshën nga ai me premtimin e “emrit në listë” apo me poste ministrore.