Nga Jozefina Topalli
Zgjedhjet shqiptare kanë hyrë në historinë botërore të zgjedhjeve për fenomenin e Dushkut.
Sa herë në botë ndeshen praktika manipulimi zgjedhjesh në formën e transferimit të votave dhe të rezultatit nga një parti tek një tjetër, ekspertët botërorë i cilësojnë ato si “praktika Dushku”. Per fat të keq në Shqiperi pak kush e përcjell Dushkun me shqetësim, me kritikë, me përbuzje apo me refuzim.
Në Shqiperi kemi pasur Dushk kur PS regjistroi në zgjedhje “kandidatët e pavarur” dhe bëri fushatë per ta, sepse donte të thyente tavanin që i vinte ligji në shperndarjen e mandateve dhe të rriste nepërmjet tyre artificialisht prezencën e Kuvend. Në atë kohë praktika manipuluese u shkul me sponsorizimin e ndërkombëtarëve dhe me akt të KQZ-së, e cila deklaroi se mandatet e “kandidatëve të pavarur” do i përllogariteshin forcës politike që i mbështeste ata.
Dushk kemi pasur edhe kur PS “zgjodhi” të prishte zgjedhjet në zonën 60 në 2001-shin, me qëllim që gjatë përsëritjes t’i transferonte votat tek aleatët e vegjël dhe të rriste kështu artificialisht prezencën në parlament. Në atë kohë horrllëku u korrigjua nga Këshilli i Evropës, OSBE dhe BE, të cilët i ndaluan PS-së që të zgjidhte vetë Pesidentin e Republikës.
Dushk ka qenë dhe transferimi i votave partiake nga partitë e mëdha tek partitë e vogla në vitin 2005, me qëllim që koalicionet të rrisnin artificialisht prezencën në Parlament. Nga ky transferim PR dhe PSD u shndërruar nga parti 0,5 për qindëshe, në parti “kombëtare” me grup parlamentar. Në këtë rast nuk pati ndëshkim ndërkombëtar, sepse palët e keqpërdorën njëlloj “Dushkun” dhe neutralizuan njeri tjetrin.
Dushk është edhe fenomeni i futjes së kryetarëve të partive të vogla në listat e partive të mëdha, sikurse u bë nga PD ne zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2017.
Edhe në këtë rast vota e hedhur për PD dhe që çon në Kuvend Mediun, Dukën apo te tjere është manipulim i vullnetit të zgjedhësve, është, për këtë shkak, transferim i kundërligjshëm i votës, prandaj është Dushk. Kjo formë manipulimi po deklarohet haptazi keto ditë nga të njejtët aktorë, se do jetë në qendër të taktikës elektorale të opozitës.
PD po lidh marrëveshje me aleatët e saj të vegjël. LSI ka deklaruar se do të ndjekë të njejtën taktikë. Të gjithë po deklarojnë se do fusin kandidatët e tyre në listat e partive të mëdha, se do konkurrojnë njëkohësisht edhe si koalicione edhe me listat e tyre të pavarura, se do konkurrojnë vetë, por fushatën do ta bëjnë në favor të aleatit të madh, etj. Të githa forma manipulimi që synojnë tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve. Opozita Bashalike nuk po shqetësohet aspak për Dushkun e vet. Këtë herë nuk po përbetohet për shenjtërinë e votës, nuk po i bëhet vonë, se po zbulohet si manipulatore.
Dushku opozitar është po aq i dëmshëm sa Dushku qeveritar, po aq i kundraligjshëm, po aq i dënueshëm.
Pyetja që bëj unë në këtë rast është:
pse Edi Rama nuk po reagon ndaj këtij manipulimi ende në tentativë?
Pse KQZ-ja nuk e ndal të keqen, kur ajo është ende në embrion?
Pse nuk vepron siç veproi dikur me “kandidatët e pavarur”, t’i ndalojë kandidimet në listat e partive të tjera? KQZ duhet tw ndalojw kandidimet nw listat e partive tw tjera, kandidimin selektiv apo kandidimin e dyfishtw.
Pse KQZ-ja nuk del në mbrojtje të votuesve, pse nuk kujdeset për qartësinë dhe drejtësinë e votimit?
KQZ-ja ka detyrë ligjore të përcaktojë kufijtë e lejuar të marrëveshjeve elektorale, perpara se ato të bëhen realitet, përpara se të dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme interesat e zgjedhësve, përpara se të zyrtarizojnë Dushkun.
Apo KQZ-ja zgjedhësit dhe ligjin i mbron vetëm me urdhër?
A nuk ju kam thene se te tre jane bashke!
Dushk eshte kur ke dy vota, ketu ke vetem nje vote.