Zëvendës Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në intervistën ekskluzive për DW tregon sfidat e funksionimit të plotë të kësaj Gjykate, e cila duhet të trajtojë një stok prej 36 mijë dosje të pashqyrtuara.
DW: Z. Sadushi ka dy vjet që Gjykata e Lartë (GJL) nuk është plotësisht funksionale. I mungojnë 16 anëtarë dhe kryetari. Që të bëhet e funksionale, nuk është vetëm një kusht për t’u plotësuar që BE të mos shtyjë edhe më hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, por edhe një ꞔështje shumë e ndjeshme për qytetarët. Qindra, në mos mijëra, presin drejtësi nga kjo Gjykatë dhe nuk e marrin dot. Sa ka arritur numri i dosjeve/ꞔështjeve që presin gjykim?
Sokol Sadushi: Janë rreth 36 mijë dosje sipas të dhënave tona statistikore. Nga marsi, kur nisi punën trupa e re me 3 gjyqtarë, hynë edhe 3 mijë dosje të tjera. Me një trupë prej 3 gjyqtarësh kemi evaduar, brenda 8 muajve, 2 mijë dosje . Nëse do të kemi të plotë trupën e GJL, pra me 19 gjyqtarë, do të kemi 6 trupa gjykuese me nga tre gjyqtarë secila dhe stoku do të evadohet më shpejt. Jam i bindur që nëse çdo trupë gjykuese do të gjykojë më tepër se 2 mijë çështje, atëherë do të arrihet të gjykohen më tepër se 12 mijë çështje në vit dhe jam optimist që situata do të ndryshojë shpejt për mirë.
DW: Çfarë kanë qënë 2000 ꞔështjet që janë gjykuar në 8 muajt e vitit të kaluar?
Sokol Sadushi: U përkasin të treja fushave: janë çështje civile, penale dhe administrative, por shumica janë të fushës administrative, rreth 800, 600 janë çështje civile dhe 400 penale.
DW: Çfarë metodologjie po ndiqni në gjykimin e stokut të madh të dosjeve?
Sokol Sadushi: Është një mal me dosje që nga 2012 që presin për t’u gjykuar. Ka një numër të konsiderueshëm vendimesh të formës së prerë të pezulluara që në vitin 2013; vendime të prishura e të kthyera për rigjykim nga gjykatat e apelit; numër të lartë ankimesh të veçanta apo çështje të mbetura pezull prej vitesh, për shkak mosmarrëveshjesh të kompetencës mes gjykatash apo konfliktesh juridiksionale. Metodologjia ka në bazë dy parime: atë kronologjik dhe prioritar. Me parimin kronologjik po gjykojmë çështje të vjetra. Qytetarët që kanë depozituar rekurse më herët se të tjerët edhe përgjigjen do ta marrin më herët. Krahas parimit kronologjik kemi zbatuar edhe parimin e çështjeve urgjente, prioritare, që ligji të detyron t’i shqyrtosh më shpejt. Psh nëse është fjala për një çështje ekstradimi ajo është urgjente, pasi ka afate proceduriale që duhen respektuar. Nëse ka një çështje juridiksioni, kompetence apo konflikti mes gjykatash edhe këto janë urgjente.
Synojmë të identifikojmë çështjet që kanë një natyrë, për të cilat mbahet një qëndrim i unifikuar në interpretimin e ligjit. Kjo u mundëson gjyqtarëve të japin zgjidhje shumë të shpejta shumë çështjeve që kanë të njëjtën natyrë brenda një dite. Duke i grupuar çështjet, specifikuar sipas natyrës së tyre do të kemi zgjidhje efektive. Identifikim i çështjeve me të njëjtën natyrë dhe shtimi i numrit të gjyqtarëve të rinj do të sjellë rezultate. Janë 12 kandidatë për të qënë gjykatës në trupën e GJL, nje pjesë e të cilëve e kanë kaluar me sukses vettingun.
DW: Sa kohë mendoni se do të vazhdojë kjo situatë stoku dhe njëherazi ardhje çështjesh të reja, jo urgjente që shndërrohen në stok sepse me parimin kronologjk ato nuk mund të gjykohen dhe as të respektohen afatet ligjore apo jo?
Sokol Sadushi: Situata në GJL me 36 mijë dosje është anormale. Ajo nuk të jep mundësi që një çështje e ardhur tani të shqyrtohet brenda afateve ligjore. Ka shumë çështje që presin prej vitesh. Duke zbatuar parimin kronologjik dhe gjykuar çështjet e vjetra, dashur pa dashur, do lihen të rejat. Kemi një fluks të madh çështjesh që duhen hequr, kemi një numër të pakët gjyqtarësh dhe kushdo që sjell tani një çështje për gjykim në GJL është i detyruar të të presë sa t’i vijë rradha, ndërkohë që duhen respektuar afatet ligjore për gjykimin e çështjeve të reja. Kjo situatë do të vazhdojë në GJL edhe për 2- 3 vjet të tjera deri sa të normalizohet. Kjo pasi edhe gjyqtarët e rinj që do vijnë, do të duan kohën e tyre që të evadojnëëcështjet. Shikoni Gjykatën e Strasburgut, që ka gjithë Europën, edhe atje vonohen ꞔështjet me 4, 5 vite dhe nuk mund t’u thuhet gjyqtarëve pse nuk i gjykoni në kohë, brenda afateve të përcaktuara ligjore. Në rastin tonë gjyqtarët nuk mund të bëjnë me tepër. Për ne është e rëndësishme që kemi një strategji të qartë dhe jemi optimistë që gradualisht situata do të bëhet normale.
DW: Z. Sadushi në mars të vitit 2017 filloi reforma në drejtësi, filloi vettingu që nxorri, deri tani nga sistemi rreth 600 gjykatës, gjë që ka sjellë edhe mungesat në trupën e GJL. Por si e shpjegoni që në stokun e ꞔështjeve të pagjykuara, të vonuara ka edhe nga ato të 8 viteve më parë?
Sokol Sadushi: Vonesat kanë ardhur ndër vite dhe natyrisht që edhe reforma ka patur ndikimin e saj në shpejtësinë e shqyrtimit të dosjeve /ꞔështjeve. Gjyqtaret prisnin vettingun. Kjo shkaktoi shpërqëndrim tek ata në ushtrimin e detyrës dhe solli uljen e ritmit të punës. Mund të them që nuk ishin maksimalisht aktivë. Por situata nuk ka qënë normale edhe para se të fillonte reforma në drejtësi. Nuk ka patur një sistem elektronik efikas dhe punohej në mënyrë manuale. Trupa e GJL anjëherë nuk ka qënë e plotë prej 19 gjykatësish. Në kohët e saj më të mira, GJL ka patur 17 anëtarë. Edhe mungesa e një gjyqtari krijon problematikë pasi nuk formohet dot trupa prej 3 gjyqtarësh.. Nuk ka funksionuar sistemi në tërësi. Ka ndryshuar ligji, por ky sistem nuk i përshtatet ligjit.
DW: Kur po plotësohet trupa e gjykatësve me 19 anëtarë që GJL të jetë funksionale?
Sokol Sadushi: Mezi po presim ardhjen e gjyqtarëve të rinj. Nuk është vetëm numri i tyre për të plotësuar trupën e gjyqtarëve sipas ligjit, por trupa ka ndryshuar fizioniminë e saj si pasojë e ndryshimeve kushtetuese. Në bazë të këtyre ndryshimeve GJL duhet të merret kryesisht me njësimin e praktikave gjyqësore. Roli i GJL do të jetë marrja e vendimeve orientuese për gjykatat e niveleve më të ulta. Kjo do të thotë që nëse GJL mban një qëndrim për një ꞔështje, të gjitha gjykatat në nivele më të ulta, se ajo janë të detyruara me ligj që për ꞔështje të njëjta të kenë të njëjtin interpretim të ligjit. Vendimet e unifikuara, të njësuara do të merren nga trupa jo me 3 por me 5 gjyqtarë. Mendoj se efekti pozitiv do të jetë menjëherë i ndjeshëm. GJL do të fitojë reputacionin dhe besimin e publikut me qëndrimet e saj të qarta e profesionale. Kjo nuk është e thjeshtë por jam optimist që reforma në drejtësi ka krijuar një frymë të re dhe prandaj viti 2021 është një vit premtues për bërjen plotësisht funksionale të GJL. Deri në qershor të këtij viti do të kemi të paktën, disa trupa me 3 gjyqtarë. Presim miratimin brenda tremujorit të parë të vitit 2021 të ndryshimeve të domosdoshme në legjislacionin procedural, të cilat e bëjnë më efektiv gjykimin në Gjykatën e Lartë si edhe finalizimin me sukses te emërimit të tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të propozuar nga GJL.
DW: Z. Sadushi cila është dobia e ndryshimit që sjell reforma në drejtësi lidhur me natyrën e vendimeve që duhet të marrë tash e mbrapa GJL? Pra vendime që unifikojnë praktikat gjyqësore për ꞔështje të së njëjtës natyrë…
Sokol Sadushi: Para reformës në drejtësi, marrja e vendimeve që unifikojnë praktikat gjyqësore për ꞔështje të së njëjtës natyrë , nuk ka qënë prioriteti kryesor i GJL. Kjo gjë e kishte shndrruar këtë gjykatë njëlloj si gjykatat e shkallës së parë dhe ato të apelit. Por kjo nuk duhet të ndodhte sepse Gjykata e Shkallës së parë dhe ajo e Apelit jane gjykata fakti, merren me prova, dëgjojnë palët, merren me dosje, kurse GJL nuk merret me fakte, por është gjykatë ligji dhe kryen njësimin e praktikave gjyqësore për ꞔështjet të së njëjtës natyrë. Para reformës në drejtësi ka ndodhur që GJL ka ndryshuar faktet dhe provat, kur ka menduar se janë të gabuara. Kjo e bënte GJL të ikte nga orientimi kryesor që ishte unifikimi. Tani kjo duhet bërë se na detyron ligji dhe kushtetuta.