Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm në Departamentin e Drejtësisë, që vëzhgon mbarëvajtjen e punëve në këtë institucion, tha të premten se do të hetojë mënyrën se si departamenti dhe agjencitë e tij të zbatimit të ligjit u përgatitën dhe u përgjigjën ndaj trazirave të javës së kaluar në Kongresin amerikan.
Hetimi nga zyra e Inspektorit të Përgjithshëm do të shqyrtojë nëse informacioni për mundësinë e dhunës gjatë asaj dite, u nda nga Departamenti i Drejtësisë me agjencitë e tjera, përfshirë policinë e Kapitolit.
Inspektori i përgjithshëm tha se “do të hetojë gjithashtu nëse ka ndonjë dobësi në protokollet, politikat apo procedurat e Departamentit të Drejtësisë, që ndikuan negativisht në aftësinë e departamentit apo të strukturave të tij, për t’u përgatitur në mënyrë të efektshme dhe për t’iu përgjigjur ngjarjeve në Kapitol më 6 Janar.”
Hetimi, është një nga disa të tillë, të nisur nga inspektorët e përgjithshëm, përfshirë ata në departamentet e Sigurisë dhe Mbrojtjes si dhe në Departamentit të Burimeve të Brendshme, i cili mbikëqyr Policinë e Parkut të Uashingtonit.
Fillimi i inspektimeve është tregues i një shqetësimi që duket se ekziston mes agjencive ligjzbatuese, se përgatitjet dhe reagimi ndaj sulmit në Kapitol nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump ishin të pamjaftueshme.
Policia e Kapitolit tha se ishte përgatitur vetëm për një protestë të zakonshme ditën që ligjvënësit ishin mbledhur për të çertifikuar fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, edhe pse vetë presidenti Trump i kishte inkurajuar mbështetësit e tij të “luftonin me forcë”.
Hetimet ka të ngjarë të përfshijnë gjithashtu një vlerësim të informacioneve të zbulimit që Departamenti i Drejtësisë – dhe veçanërisht FBI – kishte mbledhur para dhe pas trazirave. Ai vjen disa ditë pasi FBI-ja pranoi se një nga zyrat e saj në terren përpiloi një buletin të brendshëm që paralajmëronte për dhunë të mundshme në Kongres.
Gazeta Washington Post, e cila raportoi e para ekzistencën e një raporti të dates 5 janar hartuar nga zyra e FBI-së në Norfolk, tha se buletini pëprfshinte kërcënime nga ekstremistët për të kryer “luftë”. Steven D’Antuono, ndihmës drejtor në detyrë për zyrën e FBI-së në Uashington, tha se sapo u mor paralajmërimi i 5 janarit, informacioni u shpërnda me shpejtësi tek agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit përmes Forcës së Përbashkët të Terrorizmit në Uashington./VOA/