Vijon i ftohti polar të sundojë Shqipërinë! Qarku i Korçës është zgjuar mëngjesin e sotëm e zbardhur nga dëbora për shkak të rshjeve të dendura që ka pasur gjatë gjithë natës, ndërsa temperaturat kanë shkuar deri në -7 gradë Celsius.
Në zonat malore reshjet janë shoqëruar me erë të fortë, ndërsa trashësia e saj varionte nga 10 deri në 20 cm. emergjencat Civile kanë bërë thirrje që kalimi i mjeteve në akset rrugore paradite rekomandohet të bëhet me zinxhirë ose goma dimërore. Nga ana tjetër është punuar për mirëmbajtje me pastrim dëbore dhe kriposje.
Meteoalb parashikon se vendi ynë sot do të mbizotërohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash duke sjellë mot me diell por që herë pas here do të ketë dhe zhvillim të vranësirave, të cilat do të sjellin reshje të izoluara dëbore, më të theksuara në zonat juglindore.
Sipas Meteoalb, sot temperaturat do të pësojnë një rënie të ndjeshme, ku do të variojnë: në zonat malore, nga -10°C në -2°C, në zonat e ulëta nga -2ºC në 05°C dhe në zonat bregdetare nga 01°C në 07°C. Era do të fryejë në drejtim Verilindor ndërsa forca e valëzimit në det do të jetë 3-4 ballë.
Pasditja dhe kryesisht mbrëmja do të sjellë vranësira në Jug dhe Juglindje bashkë me reshje të pakta dëbore, ndërsa Veriu dhe qendra mbeten me kthjellime.
g.kosovari