Firma farmaceutike AstraZeneca bëri këtë të martë aplikimin zyrtar pranë Agjencisë Europiane të Barnave EMA për të marrë lejen urgjente të përdorimit të vaksinës së saj anti-COVID në vendet anëtare.
Agjencia njoftoi se autorizimin mund ta lëshojë brenda 29 Janarit dhe nëse leja jepet, vaksina e prodhuar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit bëhet e treta që lejohet për injektim në hapësirën e përbashkët europiane, pas Pfizert dhe Modernës.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e quajti aplikimin e AstraZenecës një “lajm të mirë”. Në Tëitter, Von der Layen premtoi se strukturat e BE-së do të punojnë me shpejtësi të plotë për autorizimin e përdorimit të saj në Evropë.
Krahas Britanisë së Madhe, vaksina e Oksfordit dhe AstraZeneca është miratuar edhe në Argjentinë e Indi dhe ka marrëveshje me nismën COVAX ku bën pjesë edhe Shqipëria. Avantazh i saj është transporti në temperatura normale frigoriferike, në dallim nga Pfizer që duhet ruajtur në -71 gradë Celsius. Po ashtu çmimi për dozë është deri 6 herë më i lirë se vaksinat konkurrente, por që ka një efektshmëri më të ulët.
/a.r