Logjika se një politikan bën vaksinën për të shmangur teoritë konspirative se ajo dëmton shëndetin është me vlerë në të gjitha vendet kur popullsia ka mundësi reale të shkojë të vaksinohet.
Në vendet ku popullsia e ka të pamundur, edhe pse i beson 100% politikanit për t’u vaksinuar, rrëmbimi i vaksinës së dytë i afrohet më shumë abuzimit me pushtetin. Sot, nesër, por edhe për javë të tjera me radhë, asnjë nga qytetarët, sado afër stadiumit me kullë ta ketë shtëpinë, nuk do të vaksinohet dot. Edhe ata që pasi panë Kryeministrin t’i shpohej shpatulla dhe u bindën se vaksina nuk ka çip, apo nuk të bën homoseksual, nuk do të kenë mundësi të vaksinohen, sepse vaksina nuk ka për ta. Ndaj, vaksinimi në Tiranë i Kryeministrit nuk i shërben kësaj teze. Ajo vaksinë duhet të shkonte diku tjetër, në krahët e dikujt që ndoshta do të infektohet dhe do ta vuajë me jetë mungesën e saj.
RASTI NË ITALI
Marrja e dozës së parë të vaksinës së “Pfizer” me të mbërritur në Itali nga guvernatori i rajonit të Campanias, Vincenzo de Luca, ka shkaktuar furtunë polemikash për ditë të tëra. Ai akuzohet hapur se abuzoi me pushtetin, pasi dozat e para janë për profesionistët e shëndetit. Dhe këtë e bëri pikërisht në ditën simbolike kushtuar mjekëve, infermierëve dhe të moshuarve, një veprim që nuk zgjodhi ta bëjë asnjë prej 20 kryetarëve të tjerë të rajoneve apo provincave të tjera.
Sidoqoftë, guvernatori 71-vjeçar i Campanias, Vincenzo de Luca nuk është i vetmi që ka abuzuar me pushtetin duke injektuar i pari vaksinën anti-Covid. Nëse De Luca e argumenton si nevojë për të dhënë shembullin e tij, analistët italianë shkojnë përtej nevojës së dhënies së një modeli, duke e lidhur me reflektimin nëse politikanët janë vërtet dëshmitarët më të mirë për injektimin e një vaksine, në vend të një komunikimi shkencor të pjekur e racional. Në Shtetet e Bashkuara, zv.presidenti aktual, Presidenti i zgjedhur Joe Biden, si dhe përfaqësues të Kongresit janë vaksinuar.
Vaksinimi në Kongres është kryer si një masë sigurie kombëtare për vazhdimësinë e qeverisjes. Raste të tjera sporadike në marrjen e injeksionit të çmuar ka edhe në Europë. Në Republikën Çeke, e kursyer nga vala e parë e pandemisë por e shkatërruar nga e dyta, Kryeministri çek, Andrej Babis, është vaksinuar në krye të herës, krahas një të moshuare, veterane e Luftës së Dytë Botërore. Në Greqi, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis është vaksinuar gjithashtu në ditët e fundit të dhjetorit, bashkë me Presidenten Katerina Sakellaropoulou, ku në një dalje mediatike nga Spitali i Athinës falënderuan shkencëtarët dhe studiuesit për dhuratën e shkëlqyer që morën për festa. Ndër politikanët e vaksinuar të parët futet edhe ministri bullgar i Shëndetësisë, Kostadin Angelov.
Presidenti i Qipros, Nicos Anastasiades, mori vaksinën në një lidhje live në 28 dhjetor 2020, duke e cilësuar atë një dhuratë jete. Në Francë, ku niveli i besimit te vaksina është relativisht i ulët, qeveria është kujdesur që të shmangë përfshirjen e tepruar. Publikisht asnjë zyrtar i lartë (përfshirë Presidentin Macron që e ka kaluar virusin) nuk ka dalë hapur të thotë se është pro vaksinimit dhe të gjithë po insistojnë që vaksina të shkojë së pari te më të rrezikuarit.
LIDERËT E IMUNIZUAR
Joe Biden – President i zgjedhur në SHBA
Andrej Babis – Kryeministri i Çekisë
Kyriakos Mitsotakis – Kryeministri i Greqisë Katerina
Sakellaropoulou Presidentja e Greqisë
Kostadin Angelov – ministri bullgar i Shëndetësisë
Ana Bërnabiç– Kryeministrja e Serbisë
Vincenzo de Luca – guvernator i Campanias, Itali
g.kosovari