Dhoma e Përfaqësuesve po përgatitet që të nxjerrë nenet për të shkarkuar Presidentin Donald Trump përpara se mandati i tij të përfundojë më 20 janar.
isma vjen pas kaosit të paprecedent të krijuar nga mbështetësit e Trump në ambientet e brendshme të Kapitolit, kur Presidenti u kërkoi të marshonin aty për të kundërshtuar zgjedhjen e Joe Biden President.
Rezultati ishte pesë të vdekur, dhjetëra të plagosur, jashtëqitje në ambientet e Kongresit, shkatërrim, vjedhje laptopësh (me gjasë edhe sekretesh sigurie kombëtare) nga zyrat e ligjvënësve në Kapitol. Përpjekjet e demokratëve për ta mbajtur Presidentin Donald Trump, përgjegjës për rolin e tij në nxitjen e turmës që sulmoi Kapitolin të mërkurën, morën vrull të shtunën, me anëtarët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve që njoftuan se do të parashtrojnë artikujt e fajësimit duke filluar që nga e hëna.
Ligjvënësi Ted Lieu, një demokrat nga shteti i Kalifornisë, i cili ndihmoi në hartimin e akuzave kundër Trump, shkroi në “Twitter” se artikujt mbështeten nga 180 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, megjithëse asnjë republikan nuk është mes tyre. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dhe kolegët e saj kërkojnë që Presidenti të hiqet nga detyra para se mandati i tij të mbarojë më 20 janar.
Kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Sepse edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve voton për fajësimin e Trump, gjykimi i tij kalon në Senat dhe senatorët republikanë që kanë edhe për pak javë shumicën në dhomën e lartë të Kongresit, nuk pritet ta mbështesin shkarkimin e një Presidenti republikan, sado që mund të mos jenë dakord me mënyrën se si e mbylli mandatin Trump.
Senati e ka liruar një herë më parë Presidentin Trump nga akuzat dhe veç kësaj, do të jetë në pushim deri më 19 janar. Më 19 janar Trump do të largohet nga Shtëpia e Bardhë dhe më 20 janar do të inaugurohet Presidenti Joe Biden. Por procesi ka rëndësi edhe pse mund të kryhet pas përfundimit të mandatit të Trump. Nëse ai fajësohet, nuk mund të kandidojë për një tjetër mandat në zgjedhjet e ardhshme.
Frika e Mike Pence
Udhëheqësit demokratë të Kongresit i kanë bërë thirrje Nënpresidentit Mike Pence të kërkojë aktivizimin e amendamentit të 25-të, i cili ofron një mënyrë alternative dhe mbase më të shpejtë për ta hequr Presidentin nga detyra për paaftësi drejtimi dhe detyrën e merr përkohësisht nënpresidenti.
Pence nuk e ka përjashtuar përdorimin e Amendamentit 25 për të hequr Donald Trump. Pavarësisht nga heshtja e Pence, zëvendëspresidenti po e mban masën për të thirrur Amendamentin e 25 në tryezë, në rast se Trump bëhet më i paqëndrueshëm në ditët përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Sipas burimeve të “CNN”, ekipi i Pence është i shqetësuar se Presidenti mund të ndërmarrë një veprim që do të rrezikonte sigurinë kombëtare nëse zëvendëspresidenti aktivizon Amendamentin 25, ose nëse demokratët vazhdojnë përpara me planet e tyre të fajësimit. Pence po punon aktualisht për të siguruar që ka një tranzicion të qetë në administratën e Biden.
Tensionet kanë arritur kulmin mes zëvendëspresidentit dhe Presidentit pas trazirave të së mërkurës, ku mbështetësit e Trump hynë në Kapitol dhe brohoritën “varni Mike Pence!”.
Trump në mesazhet e tij i ishte hakërryer Mike Pence, duke deklaruar në mënyrë false se ai kishte fuqinë për të mos lejuar votimin për Joe Biden. Trazirat e shkaktuara nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump dhe pretendimet e tij të pabazuara se zgjedhjet ishin të manipuluara, e kanë dëmtuar mbështetjen republikane për Presidentin Trump.
Rreziku i kodeve bërthamore dhe fuqia e gjeneralit përballë Presidentit
Pasi e kanë etiketuar shpesh këto ditë si “Presidenti i çmendur”, ligjvënësit e lartë amerikanë kanë ngritur shqetësimet se çfarë mund të bëjë Trump me fuqinë ekskluzive që ka në dorë, për të urdhëruar hedhjen e një arme bërthamore. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha të premten se ajo kishte pyetur gjeneralin e lartë të Pentagonit, Mark Milley, se çfarë masash ekzistojnë për t’i paraprirë një urdhri nga Presidenti për sulm me armë bërthamore.
“Situata e këtij Presidenti të dalë jashtë kontrolli nuk mund të jetë më e rrezikshme se kaq dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur popullin amerikan nga sulmi i tij trazues ndaj vendit tonë dhe demokracisë sonë”.
Presidenti ka autoritetin e vetëm për të urdhëruar lëshimin e një arme bërthamore dhe nuk kërkon miratimin e Kongresit ose këshilltarëve të tij ushtarakë. Por nëse një komandant ushtarak do të vendoste, sipas këshillës së juristëve të tij, se një urdhër i tillë ishte i paligjshëm, atëherë urdhri mund të refuzohej. Udhëheqësit e kaluar dhe të tanishëm të Pentagonit gjithashtu kanë thënë se ata nuk do t’i binden një urdhri të paligjshëm nga Presidenti.