Emigrantët nga Siria u shpëtuan mbrëmjen e djeshme në Vlorë nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë. 50 sirianë, mes tyre fëmijë dhe gra të cilët kishin si destiancion Italinë, u gjendën në një situatë tepër të vështirë.
Gomonia me të cilën ishin duke lunduar u ça duke bërë që personat që ishin në të të qëndronin për më shumë se tre orë në qiell të hapur dhe pa asnjë shpresë. Salla operative Fier dhe Vlorë mori një telefonatë nga një person i huaj se në derdhje të lumit Vjosë ishte një gomonë që po mbytej.
Në sallën e policisë Vlorë personi ka kërkuar ndihmë: “Gomonia po mbytet, ndihmë”. Për këtë u njoftua QNOD për të dërguar Rojen Bregdetare nga Sazani, në drejtim të derdhjes së Vjosës.
16 persona morën menjëherë ndihmë të specializuar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa 9 burra dhe gra janë nisur drejt Spitalit të Traumës, mes tyre tre fëmijë nën moshën 10 vjeçare. Pjesa tjetër e tyre gjenden në korridoret e Drejtorisë Vendore të policisë. Mjeti lundrues i tipit gomone mbeti në grykëderdhjen të Vjosës për orë të tëra për shkak të erërave të forta në drejtim jug- perëndim.
g.kosovari