Nga Artur Ajazi
Presidenti i Republikës,Ilir Meta ka dekretuar me shpallje, pesë ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, në datën 17 dhjetor 2020, që ishin evidentuar si të nevojshme për t’u realizuar mes forcave politike, në dakordësinë e arritur me marrëveshjen e 5 qershorit 2020,që lidhen me mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore.Me këtë rast, kreu në detyrë i shtetit Meta, njëherësh i ka bërë thirrje SPAK dhe Prokurorisë që “të marrim masat e nevojshme që të krijojnë organikën e duhur që të merret me çështjet zgjedhore”.
I vetmi njeri (ndoshta më shumë se vetë Lulzim Basha) që ndoshta flet, paralajmëron dhe komenton më tepër se kushdo tjetër politikan masa drastike për “blerje votash”, është Ilir Meta. Nuk është parë dhe dëgjuar, që një kryetar shteti të përzjehet kaq shumë dhe të merret kaq gjatë me skenare për gjoja “pazare votash”,me paralajmërime ekstreme për “prerje duarsh”, apo dhe me gjëra të tjera të karanterit proçedurial. Nuk është në të drejtën e tij, as në detyrimin e tij të merret me fushatë elektorale, me sulme ndaj njërës palë dhe mbrojtje të palës tjetër, aq më tepër nuk është kompetencë e tij të tundë gishtin dhe të presionojë cilindo për “blerje votash”, ti kujtojë cilitdo burgun dhe prangat.
Gjithçka e tillë është detyrim i organeve kompetente, i policisë, prokurorisë dhe gjykatave. Duke marrë rolin e kryetarit të partisë, e policit dhe prokurorit, duket se kryetari i shtetit me dashje po u kujton shqiptarëve “bëmat” e lësëistëve dikur, në fushatat elektorale. Po u kujton atyre “pagatorët” e fushatave, që pas çdo takimi apo “komunikimi me elektoratin”, bëhej edhe shpërblimi ndaj çdo vote që do ti hidhej LSI-së. Por Meta vazhdon dhe nuk ndalet në përsëritjet e tij për “kujdes ndaj procesit zgjedhor, për dënim të rreptë ndaj atyre që do të guxojnë të blejnë vota”, duke u kujtuar madje edhe strukturave të drejtësisë së re si SPAK, ILDKPKI, apo dhe KQZ, “të marrin masat e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”. Frika e Metës për “blerje votash”, të kujton atë historinë që tregojnë me deputetët tanë kur vajtën pas 1992 në Danimarkë, dhe pyetën kolegët e tyre “pse me laps dhe jo me stilolaps votuesit tuaj, nuk keni frikë se ju vidhen votat”.
Natyrisht ata kishin eksperiencën shqiptare, por deputetët danezë u habitën, dhe u përgjigjën se “tek ne askush nuk vjedh vota”. Kështu dhe “meraku” i Metës, i cili nuk rresht së kujtuari dhe porosituri “kujdes me blerjet e votave, mos prekni votat”. Eshtë e habitshme, gjithmonë njeriu i trembet asaj që ka bërë dhe mendon të bëjë. LSI, në situatën ku ndodhet e ka të pamundur të sigurojë marrjen qoftë edhe të 2 mandateve në zgjedhjet e 25 Prillit. Meta e di mirë, ç’do të thotë të përballesh me Edi Ramën pas 8 vitesh qeverisje, kur ka arritur të sfidojë tërmetin shkatërrimtar dhe pandeminë e llahtarshme, ndaj dhe blerja e votave, është i vetmi opsion që ai do të jetë i detyruar të zbatojë në zgjedhjet e 25 Prillit. Por sa do të funksionojë ? Këtë do ta shohin shqiptarët në të djelën e 25 Prillit, dhe do të mësojnë se të kujt do të jenë “duart e prera”, që do të guxojnë të blejnë vota të lira……