Edhe pse në kohë pandemie, qytetarët beratas kanë mbushur sot dy brigjet e lumit Osum, për t’u bërë pjesë e ceremonisë së hedhjes së Kryqit. Priftërinjtë e Kishës Ortodokse në Berat, të gjithë të pajisur me maska janë nisur nga Kisha e “Shën Dhimitrit” drejt Urës së Goricës, për kryerjen e ritualit të hedhjes së kryqit.
9 të rinj beratas sfiduan temperaturat e ulëta dhe u futën në ujin e ftohtë të Osumit, për të pritur kryqin. Ceremonia e hedhjes së kryqit u mbajt nga prifti Johan Qako, që pas ritualit fetar hodhi kryqin e bekuar në lumë. Kryqi u kap nga 21-vjeçari Daniel Lirza,i cili me kryqin në dorë depërtoi në mes të turmës. Sipas traditës,21-vjeçari troket derë më derë në portat e banesave të lagjeve: “Mangalem”, “Goricë” e “Kala” si dhe në lagjet e tjera beratase, ku “dorovitet” nga banorët. I pranishëm në ceremoninë e hedhjes së kryqit në Berat ka qenë edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
Pas ceremonisë, Meta, duke shprehur kënaqësinë që ka qenë i pranishëm sot në qytetin e kulturës dhe traditave mijëravjeçare, ka uruar të gjithë shqiptarët për një vit sa më të mbarë.
“Le të na ndriçojë kjo ditë e bekuar dhe ky moment për të na forcuar besimin në zot për të përballuar sfidat e vështira dhe për të na mbrojtur nga kjo pandemi. Le të na ndihmojnë këto bekime të sotme për të qenë më të bashkuar dhe për të përballuar sfidat e këtij viti”-ka thënë Meta. Presidenti Ilir Meta i është shmangur pyetjeve politike dhe vetëm ka uruar mbarë shqiptarët për një vit të mbarë.
g.kosovari