Zëvendës-presidenti amerikan Mike Pence ka mirëpritur nismën e një grupi senatorësh republikanë për të refuzuar vërtetimin e fitores së zgjedhjeve presidenciale nga Joe Biden në datën 6 Janar.
“Z.Pence mirëpret përpjekjet e anëtarëve të Dhomës dhe Senatit për të përdorur autoritetin që ata kanë në bazë të ligjit për të ngritur kundërshtime dhe për të sjellë prova përpara Kongresit dhe popullit amerikan”.
Qëndrimi i Pence merr një rëndësi të veçantë për seancën e Senatit të datës 6 Janar ku duhet të bëhet edhe shpallja e Biden fitues, pasi ai do të ketë përgjegjësinë ligjore të mbikëqyrjes së saj.
Gjithsesi, mediat amerikane bëjnë të ditur se shanset që kjo nismë të ketë sukses janë të pakta, pasi shumica e senatorëve republikanë dhe demokratë nuk pritet ta përkrahin atë.
Të gjitha shtetet amerikane kanë vërtetuar rezultatin e zgjedhjeve, disa pas rinumërimeve dhe ankesave ligjore. Deri më tani, gjykatat e SHBA kanë hedhur poshtë 60 padi kundër fitores se Biden.