Nga Adriatik Doçi
Kuorumi minimal prej gjashtë anëtarësh në Gjykatën Kushtetuese sot është në duart e Ilir Metës dhe Sali Berishës, dyshes së politikanëve që e kontrollonin këtë gjykatë deri në vitin 2018, kur u boshatis nga veprimi i ligjit të Vetingut, duke larguar të gjithë anëtarët e emëruar në mënyrë të njëanshme nga PD-LSI, për pasuri të pajustifikuara. Pavarësisht monitorimit dhe presionit ndërkombëtar, rregullave të reja, kritereve më të forta dhe verifikimeve të thelluara, Gjykata e re Kushtetuese nuk ka mundur dot t’i shpëtojë ndikimit politik.
Sali Berisha dhe Ilir Meta kontrollojnë sot 2 nga 7 votat në Gjykatën Kushtetuese, votën e Marsida Xhaferllarit dhe Sonila Bejtjas, e emëruar nga Meta dhe që ka nisur sot detyrën. Sipas ligjit, Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë me mandat 9-vjeçar. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të saj, pra nga të paktën 5 anëtarë pro. Por, që Kushtetuesja të mblidhet në seancë plenare, të shqyrtojë çështje si dhe të marrë vendime, duhet të sigurojë një kuorum jo më pak se 6 anëtarë.
Kuorumi
Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka 7 anëtarë; Vitore Tusha, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja. Deri kur Gjykata e Lartë të vihet në lëvizje për plotësimi e tre vakancave, përfshirë edhe Vitore Tushën, të cilët i ka mbaruar mandati që në 2017, por që mund të qëndrojë në detyrë deri kut të zëvendësohet, roli i Xhaferllarit dhe Bejtjas është vendimtar për krijimin e kuorumit prej 6 anëtarësh.
Po kush janë Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari, lidhjet me PD-LSI dhe si arritën të emërohen në gjykatën më të rëndësishme në Shqipëri?
Sonila Bejtja;
Sonila Bejtja është bashkëshortja e Andi Bejtes, një analist pro PD-LSI, bashkëpronar i televizionit të familjes Berisha. Zonja Bejtja ka punuar si notere që nga viti 2001, ndërsa ka paraqitur letrat edhe si avokate, ndonëse nuk njihet si e tillë. Në prill 2019, doli në pah duke mbrojtur kauzat e PD-LSI, teksa deklaroi në një studio televizive se Parlamenti duhej të shpërndahej, se zëvendësimi i deputetëve të PD-LSI ishte i paligjshëm, se Vetingu ishte me dy standarde, shpalli antikushtetuese disa ligje të qeverisë, mbrojti dekretet e Metës për kthimi e ligjeve të Kuvend etj.
Ligji përjashton noterët nga kandidimi për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Por, zonja Bejtja ka paraqitur dokumente në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dsikur ka punuar si avokate 15 vite e disa muaj, nga të paktën 15 vite që parashikon ligji. Gjithashtu, një nga kriteret ligjore është që kandidati duhet të jetë jurist shquar në fushën e së drejtës dhe ligjit. A është Sonila Bejtja një juriste e shquar? Sipas KED, Bejtja është juriste e shquar. Pa kaluar procesin e Vetingut, ajo u propozua nga KED si kandidaturë e vetme për vendin vakant që la Besnik Muçi. Meta nxitoi për ta emëruar pas disa orës, ndërsa një ditë më pas organizoi ceremoninë e betimit.
Marsida Xhaferllari;
Marsida Xhaferllari ka lidhje të shumëfishta me Partinë Demokratike, ndërsa dy anëtarë të KED kanë shprehur rezerva lidhur me integritetin moral dhe etik saj, për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, nisur nga një raport që fliste për përfshirje të saj në praktika korruptive, në vitet 2001-2002, kur ishte gjyqtare.
Xhaferllari ka qenë gjyqtare në Fier gjatë viteve 1999-2007. Nga viti 2007 deri në 2013, Xhaferllari ka ushtruar detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë dhe drejtoreshës e Drejtorisë së Kodifikimit, duke punuar pranë ish-ministrave të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe Eduard Halimi. Ajo ka qenë edhe këshilltare e ministrave të Berishës në Drejtësi.
Gjatë periudhës 2008-2013, ka mbrojtur 50 herë degët e qeverisë Berisha në Kushtetuese nga paditë e ndryshme. Në fund të vitit 2009 dhe në fillim të vitit 2010, Xhaferllari ka mbrojtur në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e detit me Greqinë, pakt i cili u hodh poshtë nga gjykata si antikushtetues dhe në dëm të interesave të Shqipërisë.
Në janar të vitit 2013 është emëruar në detyrën e Kryeinspektores së Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke punuar pranë Bujar Nishanit dhe më pas Ilir Metës, të cilët kanë drejtuar KLD.
Vetingu pa vendim;
Marsida Xhaferllari u përzgjodh me anë të shortit për t’iu nënshtruar procesit të Vetingut, por Komisioni i Vetingut, nuk mori vendim, me argumentin se ajo kishte humbur statusin e gjyqtares, duke punuar për një kohë më të gjatë sa sa e parashikon ligji, jashtë gjyqësorit. Xhaferllari e kundërshtoi këtë vendim, ndërsa paraqiti një padi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke kërkuar që t’i nënshtrohej Vetingut.
Ndërkohë që Xhaferllari kishte aplikuar për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese. Në tetor, të 2019, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e kishte kualifikuar Xhaferllarin si kandidate për në Kushtetuese. KED i dërgoi Metës një listë me 4 kandidatë për një vend vakant. Në krye të listës ishte Arta Vorpsi. E fundit në listë ishte Xhaferllari. Ligji për Kushtetuesen parashikonte që Meta kishte 30 ditë kohë për të emëruar njërin kandidat në tre vendet e para dhe jo të katërtin. Me skadimin e këtij afati, kandidatja e e renditur e para me pikë nga KED, konsiderohej e emëruar.
Manovra e Metës;
Afati 30 ditor skadoi dhe në mungesë të veprimit të Metës, Arta Vorpsi u zgjodh anëtare automatikisht. Por, që Arta Vorpsi të niste detyrën, sipas ligjit, duhej të betohej në Presidencë. Ceremonia e betimit u refuzua nga Meta, ndërsa Vorpsi u betua tek një notere, veprim që nuk parashikohej nga ligji. Ndërkaq, Meta pretendonte se nuk mund ta zbatonte këtë afat ligjor, pasi radha për të zgjedhur anëtarin, ishte e Kuvendit.
Në tejkalim të afatit 30-ditor, Meta emëroi Xhaferllarin në vend të Arta Vorpsit, duke kryer një shkelje të katërfishtë; jashtë afati, jashtë listës fituese, pa Veting dhe në vend të Vorpsit. Parlamenti miratoi, në një seancë të jashtëzakonshme në 15 nëntor 2019, një rezolutë që bëri të pavlefshëm dekretimin e Marsida Xhaferllarit. Megjithatë, kjo e fundit u betua me shpejtësi tek Meta, duke nisur detyrën.
Ikja nga Vetingu;
Pas kësaj lëvizje, Xhaferllari tërhoqi kërkesën në Kolegjin e Apelimit, për Vetingut. Ajo tha se tashmë Vetingut nuk ishte i nevojshëm pasi ishte verifikuar nga KED. Pra, sipas saj, para se të emërohej ë Kushtetuese duhej t’i nënshtrohej Vetingut, pasi u emërua Vetingu nuk duhej. Në një opinion në qershor të këtij viti, Komisioni i Venecias theksonte se në Gjykatën Kushtetuese nuk dihej të emërohej asnjë anëtar pa Veting. (shqiptarja.com)