Ish-këshilltari i ministrit të Jashtëm, Glevin Dervishi, shprehet se është detyrim që vendet t’i njohin njëri-tjetrit shtrirjen me 12 milje para negociatave për përcaktimin e kufijve.
“Çështja e zgjerimit të gjerësisë së Detit Territorial të Greqisë është një çështje e së drejtës ndërkombëtare dhe jo një çështje negociate mes shteteve.
Shtetet që janë palë të Konventës së UNCLOS 1982 si Shqipëria, Greqia, Italia, Egjipti apo edhe shumë të tjerë kur nisin proceset e delimitimit e kryejnë automatikisht negociatën me parimin e 12 miljeve detare, pra nuk ka negociate mes shteteve anëtare nëse njëra palë do ia njohë palës tjetër të drejtën e zgjerimit në 12 milje!
Madje kur shtetet palë të Konventës negociojnë për të ndarë detin, Konventa nuk merr parasysh fare sa e ke gjerësinë e Detit Territorial me ligje të brendshëm, pra nëse e ke me ligj të brendshëm 0 milje, 3 milje, 6 milje apo 12 milje, Konventa të thotë që pavarësisht gjerësisë që ti ke me ligjin tënd, kur të negociosh do përdorësh vijën e mesit”, shkruan Dervishi.
g.kosovari