Ka hyrë sot në fuqi Dekreti Presidencial i Greqisë për zgjerimin me 12 milje në Detin Jon, pas botimit në Fletoren Zyrtare të Qeverisë greke.
Lajmi është njoftuar nga Ministria e Jashtme e Greqisë përmes një deklarate zyrtare.
“Ky është një hap i domosdoshëm për procesin e zgjerimit të zonës bregdetare të vendit, që sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara, është një e drejtë e patjetërsueshme. Dekreti i Presidentit thekson se Greqia mund të ushtrojë të drejtat e saj në rajonet e tjera të territorit, që rrjedhin nga Konventa për Ligjin e Detit. Greqia është e vendosur për mbrojtjen e së drejtës së saj ndërkombëtare, përfshirë ligjin e detit, gjithmonë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë.
Dy ditë më parë, Këshilli i Shtetit Grek dha aprovimin për shtrirjen e ujërave territoriale nga 6-12 milje detare në ishujt Jonian dhe Kepin Tenaro në Peloponez.
Ky vendim i Greqisë i hap rrugë nisjes së procesit për marrëveshjen detare me Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.