Pak ditë pas arrestimit të Plaurent Dervishtaj në Dubai dhe Indrit Taullait në Kosovë, si të përfshirë në dy atentate mafioze të 15 viteve më parë, SPAK ka kërkuar ekstradimin e tyre drejt vendit tonë. Taullau pritet që të ekstradohet nga Kosova drejt vendit tonë, por ndryshe është situata për Dervishajn, për shkak se mungon marrëveshja e ekstradimit mes dy vendeve.
Për këtë, Prokuroria Shqiptare shpreson që të ndjekë parimin e reciprocitetit duke kryer shkëmbimin e të arrestuarve mes dy vendeve. Në kërkesën drejtuar autoriteteve në Dubai, pala shqiptare ka dhënë garanci se do të bashkëpunojë me drejtësinë e këtij vendi për të shkëmbyer mes tyre personat në kërkim.
Deri më tani nuk ka një përgjigje zyrtare dhe nëse refuzohet ekstradimi i Dervishjat, ai pritet të fitojë lirinë. Ai u arrestua dy javë më parë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Vajdin Lames e Klodian Saliut, ngjarje të ndodhura në fund të Shkurtit të 2005.
Pas 15 vitesh, SPAK rihapi këto dy dosje pas dëshmisë së Luftar Raçit që ka treguar edhe emrat e Lulzim Berishës, Indrit Taullait, Emiljano Shullazit, Plaurent Dervishajt, Indrit Rusit dhe Vikor Ymerit, si të përfshirë në këtë dy ngjarje. I vetmi person që vazhdon ende të jetë në kërkim është Lulzim Berisha, për të cilin ka dyshime se fshihet në Gjermani.
/a.r