Në Pekin u hap një ekspozitë mbi historinë dhe domethënien e Tempullit të Qiellit, për të celebruar 600-vjetorin e Altarit Mbretëror të përdorur që nga shekulli XV për rite të ndryshme, shkruan “Xinhua”.
Ekspozita u hap në krahun perëndimor të Sallës së Lutjes për Korrje të Bollshme, ndërtesa kryesore e njohur gjithashtu si Qiniandian, dhe tregon për mirëmbajtjen, rinovimin, modifikimin, mbrojtjen dhe transmetimin e sitit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, që ndodhet në jug të Pekinit.
Ndër objektet e paraqitura janë imazhet e Tempullit të Qiellit të marra nga librat e vjetër dhe fotot historike të ngjarjeve të mëdha të kohërave moderne.
I ndërtuar në vitin 1420, Tempulli i Qiellit ishte vendi nga i cili perandorët e dinastisë Ming dhe Qing i luteshin qiellit për të kërkuar korrje të mira.
Në vitin 1918 u transformua në një park publik, pas mbarimit të dinastisë së fundit kineze. Ai zë një sipërfaqe prej 270 hektarësh dhe është një ndër komplekset arkitektonike më të mëdha në botë.
/a.r