Nga qyteti i Elbasanit, Presidenti Ilir Meta foli për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila u bë funksionale pas tri vitesh, duke thënë se ky ka qenë dhe duhet të jetë institucioni më i rëndësishëm në vend.
Meta tha se Presidenti ka bërë çdo përpjekje që Shqipëria të mos mbetej në asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, por sipas tij, procesi u bllokua disa herë nga mazhoranca, që kishte qëllim të kapte këtë institucion.
“Gjykata Kushtetuese ka qenë dhe duhet të jetë institucioni më i rëndësishëm në vend, siç është në çdo vend, ku sundon shteti i së drejtës. Presidenti ka bërë çdo përpjekje që Shqipëria të mos mbetej asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, por ka ende punë për të pasur një gjykatë plotësisht funksionale dhe për Presidentin funksioni i Gjykatës Kushtetuese është një çështje thelbësore dhe unë uroj e shpresoj që të gjithë, pavarësisht anëtarët e kësaj gjykate ata që janë bërë pjesë e saj dhe ata që do të bëhen pjesë, të kenë përgjegjshmëri maksimale për të kuptuar rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij institucioni për shtetin e së drejtës, të drejtat e shtetit tonë, për të mbrojtur demokracinë. Unë do të mbështes gjithmonë pavarësinë e këtij institucioni dhe gjithë institucioneve të tjera. Gjykata Kushtetuese mund dhe duhet të ruajë një rol edhe më të madh në të ardhmen”, tha Meta.
I pyetur nga gazetarët se kush tërhoq, mazhoranca apo Presidenti, për bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese, Meta u përgjigj prerë se “Nuk ekziston asnjë tërheqje nga ana e presidentit sa i takon kushtetutshmërisë së procesit. Ky proces ka pasur dhe ka mangësitë e tij nga pikëpamja e ligjit dhe shumë aspekte të tjera. Çdo spekulim për të krahasuar situatën aktuale me atë kur ndodhi kriza apo përplasja mes Presidentit me Parlamentin dhe ish-kreun e KED është e pavend, pasi në atë rast kishim një përpjekje për të rrëmbyer në mënyrë kriminale dhe mafioze një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, që i takonte Presidentit, për ta marrë mazhoranca. Për këtë, Komisioni i Venecias ka folur qartë se kush e shkaktoi këtë incident. Presidenti ka vepruar gjithmonë në mënyrën më të shpejtë të mundshme, kur KED i ka propozuar për vakancat. Është bllokuar tre herë KED nga mazhoranca për qëllime dhe planet e saj. Dua të falënderoj Bundestagun, që prej kohësh vendosi si kusht për integrimin bërjen e Gjykatës Kushtetuese funksionale. Ky është një proces që vazhdon, ne të gjithë duhet të ndjekim e monitorojmë funksionimin e kësaj gjykate dhe vendimmarrjen e saj. Në Kosovë pati një zhvillim shumë interesant. Edhe ne duhet të synojmë të kemi një gjykatë të pavarur nga politika”./a.p