Ministri i Brendshëm, i sapoemëruar në detyrë Bledi Çuçi, ka kërkuar procedimin e punonjësve të policisë që shoqëruan 3 aktivistë të AMT (Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit), nën dyshimin se kanë bërë shkelje gjatë kryerjes së procedurave.
Çuçi u shpreh në emisionin “Open” se ka kërkuar që të nisë hetimi për policët në fjalë, pas deklaratave të njërit prej të shoqëruarve se ishte goditur në ambjentet e komisariatit 1 në Tiranë.
“Ka pasur shkelje dhe kam urdhëruar fillimin e procedimit ndaj policëve që është bërë shkelja. Njëri thotë që është goditur, shërbimi i brendshëm ka hetuar që atë natë dhe po ju them që shoqërimi është vlerësuar i drejtë sepse kanë kundërshtuar kanë tentuar të dhunojnë policing,” u shpreh Çuçi.
Sipas burimeve nga policia, pas kërkesës së Çuçit, është vënë në lëvizje Drejtoria e Standardeve Profesionale, e cila po trajton rastin dhe në përfundim të hetimeve, pritet që ndaj punonjësve të policisë të përfshirë në këtë ngjarje, të merren masat përkatëse.
Tre aktivistët e AMT janë shprehur se kanë të filmuar ngjarjen, ku dëshmohet dhuna e policisë, ndërkohë që në videot e postuara deri më sot nuk shihet diçka e tillë.
Ministri Çuçi nënvizoi se aktivistët e AMT janë shoqëruar në mënyrë të drejtë, pasi ata kanë kundërshtuar me forcë ndaj policisë, dhe se ashtu siç është qytetari i paprekshëm, edhe punonjësi i policisë është i paprekshëm.
g.kosovari