Nga Ylli Pata
Shpërthimi i kreut politik të PD-së për qarkun Shkodër, Romeo Gurakuqi, për ndalimin e kandidimit në zgjedhjet e 25 prillit, natyrisht nuk u prit mirë nga ky i fundit.
Ish-deputeti shpërtheu duke sulmuar komisionin “Nishani” e duke kursyer Lulzim Bashën. Ky nuk ishte reagimi i vetëm, pasi në këtë mënyrë reagoi Salianji, pak më butë Klevis Balliu dhe shumë e shumë më fort Halim Kosova, i cili nuk kurseu as numrin dy të PD-së, Gazment Bardhi.
Duket se një seri reagimesh do të vijojnë në të ardhmen nga emra të tjerë, të cilët nuk janë të kënaqur me ndërprerjen e karrierës së tyre në këtë mënyrë.
Nuk dihet nëse këtë situatë do ta marrë në dorë Lulzim Basha, duke folur me këta persona, të cilët ju bindën kreut të PD-së në nismën kamikaze për të djegur mandatet më shumë se një vit më parë.
Po sa e dëmton realisht PD-në, kjo aradhë reagimesh, në një kohë kur në fushë ka disa parti të dala nga selia blu, të cilat përbëhen e drejtohen nga ish-krerët e Partisë Demokratike?
Realisht, vetë shtrimi e hapja e këtij debati e mban protagonizmin politik tek opozita dhe mënyra sesi Basha do ta menaxhojë këtë “krizë” do të jetë determinante për pasojat e saj.
Nëse kreu i PD-së, siç dhe sot do të vijojë të ndalojë komunikimin me faktorët që janë subjekt i këtij “rebelimi”, sipas të gjitha gjasave, muri do të sjellë një zhgënjim e më të madh që shkon si favor i menjëhershëm për partinë e Topallit, Patozit, Murrizit e Hajdarit.
Fakt është se Lulzim Basha nuk e ka kryer ende atë që premtoi prej kohësh; hapjen e Partisë Demokratike në shoqëri, siç ndodhi në vitin 2005 me rikthimin e të larguarve dhe formimin e KOP-it.
Basha jo më kot, e ka lënë debatin të mbyllur deri tani që nëse do të ketë kalime tek partitë e tjera, të ndodhë me urdhër një linçim, duke i akuzuar se po shkojnë në “preherin e Edi Ramës”.
Efekti i të pakënaqurve nga moskandidimi, sipas të gjitha gjasave pritet të ndihet edhe në PS, kur kjo forcë politike të bëjë me dije se kush do të jenë e kush nuk do të jenë në listat e deputetëve. Një lëvizje e të pakënaqurve nga PS drejt partive të opozitës, gjithashtu mund të shfrytëzohet nga Rama e udhëheqja e PS për të akuzuar se po shkojnë tek Berisha e Meta.
Gjithsesi, në një klimë ku vota është e rëndësishme në çdo qelizë dhe lufta do të bëhet edhe për një mandat, pasojat e një rrjedhje të tij ka shumë gjasa që të jenë të ndjeshme.
Sidomos nëse përdoret varianti i joshjes së disave prej këtyre të pakënaqurve duke i premtuar poste në rast marrje të qeverisë. Kandidimi apo mos kandidimi duhet të jetë një akt transparent dhe i tillë, edhe sqarimi dhe dialogimi i Lulzim Bashës qoftë me personat e pakënaqur, apo edhe me publikuan që duan të kuptojnë se si po formohet dhe kush do të jetë ekipi politik i Lulzim Bashës për zgjedhjet e 25 prillit.