Komiteti i Ekspertëve udhëzoi një masë shtrënguese, e cila kufizon orarin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 20:30 deri në 06:00, të paktën deri në datën 4 janar. Perse u mor parasysh kjo periudhë për të vendosur një masë të re? Përgjigje kësaj pyetjeje i dha në A2 drejtoresha e Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini.
“Një ndër elementët e vlerësuar sa i përket uljes së transmetimit të virusit është distancimi fizik dhe festat nuk ta mundësojnë këtë. Do të kishim grumbullime në bare apo restorante dhe ky është një nga elementët që mund të ndikojë.
Situata po vlerësohet në mënyrë dinamike dhe këto masa të marra nuk janë fikse. Nga data 5 janar ne do të rikthehemi me orën policore, nga ora 22:00 deri në 06:00. Ndërkohë, mësimdhënia për shkollat do të fillojnë sipas orientimit të Ministrisë së Arsimit për datën 11 janar”.
Më tej, Tomini foli edhe për mutacionin e ri që ka pësuar Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar, atje ku rastet janë rritur ndjeshëm.
“Në javët e fundit në Mbretërinë e Bashkuar ka pasur një rritje të shpejtë të rasteve me Covid-19. Duhet të përdorim të njëjtat masa mbrojtëse, pasi flasim për të njëjtin grup virusesh që transmetohen nëpërmjet spërklave. Është shumë e rëndësishme të dimë nivelin e transmetueshmërisë.
Të dimë sa agresiv është virusi, ndërkohë të dimë nëse riinfektohen personat që e kanë kaluar. Është një virus që po studiohet në mënyrë intensive dhe të rejat e fundit sërish që do t’i marrim nga raportimet e OBSH. Jemi herët për të gjykuar mbi efektin e vaksinës kundrejt këtij mutacioni”, u shpreh Tomini. A2