Nëse emigrantët shqiptarë nuk do të deklarojnë adresën e tyre jashtë atdheut, nuk do të marrin asnjë shërbim nga shteti shqiptar. Një procedurë kjo, që krijon edhe bazën për të garantuar votën e tyre në zgjedhje.
Por burime shprehen se 4 muaj përpara zgjedhjeve, asnjë emigrant nuk ka deklaruar adresën e tij jashtë vendit pranë Gjendjes Civile.
Kështu, ministri për Diasporën, Pandeli Majko kërkon t’i rrëzojë të gjitha këto përpjekje, duke thënë se emigrantët mund të votojnë edhe pa bërë deklarimet tek portali e-albania.
Gjatë një mbledhje në Nënkomisionin për Diasporën dhe Emigrantët, ai ka deklaruar se emigrantët mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në 25 prill edhe pa bërë deklarimet e adresave.
“Jemi në komunikim të përditshëm me KQZ. Roli im është i rezervuar, sepse KQZ është gjykatë autonome, ajo ka të drejtën të ndërmarrë veprime. KQZ të veprojë sa më shpejt të mundet pozitivisht në këtë drejtim. Nuk ka nevojë të regjistrojnë adresën emigrantët që të marrin pjesë në votime. Do të aplikojnë direkt në KQZ”, – u shpreh Majko.
Por a është përputhet kjo në raport me ligjin e vitit të miratuar në vitin 2016? Majko shpjegon: “Nuk ka të bëjë me të drejtën e votës. Është krijuar një kakofoni. Duket sikur po të mos kesh deklaruar adresën, ti nuk merr të drejtë të votosh. Nuk është kështu. Në KQZ do regjistrohen drejtpërdrejt”, – tha ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë gati një dokument ku thuhet se emigrantët mund të votonin me postë, vetëm pasi të jenë regjistruar me adresën e saktë pranë Gjendjes Civile.
Regjistrimin e emigrantëve katër vite më parë e prezantoi si projektligj ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili deklaronte se emigrantët duhet të tregojnë adresat dhe shteti ka detyrim t’u shërbejë.
“Ne, emigrantëve u kërkojmë vetëm një gjë, regjistrohu dhe na thuaj ku banon, shteti e ka pastaj detyrim duke të të shërbyer dhe lehtësuar aty ku është e nevojshme. Në çdo vend të botës qytetari ka përgjegjësi t’i deklarojë shtetit se unë banoj në këtë vend”, deklaronte Tahiri më 1 shkurt të vitit 2016.
/a.r