Ndërsa në botë po fillon vaksinimi në shkallë të gjerë për koronavirusin, zyrtarët kinezë të shëndetësisë thanë të dielën se do të vaksinohet popullsia sa më shpejt të jetë e mundur.
Por, për shkak se kompanitë farmaceutike kineze ende nuk kanë publikuar të dhënat e tyre mbi rezultatet klinike në fazën e vonë, ka shqetësime mbi efikasitetin dhe sigurinë e vaksinave.
I pyetur në një konferencë shtypi nëse vaksinat kineze janë efektive, meqenëse nuk kanë dalë të dhënat zyrtare, Zheng Zhongwei, zyrtari i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë që kryeson ekipin e prodhimit të vaksinave kineze për COVID-19, u shpreh: “Mbi një milion doza janë përdorur për grupet me rrezik të lartë dhe asnjë efekt serioz nuk është raportuar deri tani.”
Pekini ka miratuar përdorimin urgjent të tre vaksinave kandidate për grupet me rrezik të lartë qysh nga korriku. Ndër personat e vaksinuar, mbi 60 mijë kanë udhëtuar në rajonet me rrezik të lartë jashtë vendit, dhe asnjë infektim serioz nuk është raportuar, shtoi Zheng.
Kina e frenoi shpërthimin e koronavirusit në prill. Numri i rasteve të reja ditore deri në fund të marsit ishte rreth 20, nga dhjetëra në ditë në kulmin e epidemisë. Vënia nën kontroll e virusit në Kinë është një lajm i mirë, por nga ana tjetër, e ka bërë më të vështirë për prodhuesit e barnave dhe vaksinave që të vazhdojnë provat klinike, sepse tani ka shumë pak të sëmurë nga COVID-19 në Kinë.
Kompanitë kineze “Sinopharm” dhe “Sinovac” kanë bërë prova klinike në Brazil, Turqi, Indonezi dhe disa vende të tjera në Azi, Amerikën e Jugut dhe Lindjen e Mesme. Sipas të dhënave zyrtare, 75 000 pjesëmarrës janë vaksinuar dhe nuk janë raportuar efekte anësore të rënda.