Viktima e gjetur në rrugën Manzë-Maminas është 39 vjeçari Arben Hasa, i martuar dhe me një fëmijë 12 vjeçar. Në një intervistë për një media lokale (Dyrrah), i vëllai i viktimës tha se Arbeni është vrarë me breshëri kallashnikovi në makinën e tij. Ai tha se lajmin e kishte marrë vesh nga e shoqja e të vëllait, e cila i kishte thënë që kishte dalë me një shok dhe nuk kishte ardhur më në shtëpi.
Viktima Arben Hasa
Rrëfimi i vëllait: E tërhoqën 1 km zvarrë
“Ka qenë para mesnate kur më mori nusja e vëllait Anila. Jam nisur menjëherë nga Burreli dhe kam mbërritur por dy orë në Manzë. Së bashku me policinë ne kemi kërkuar përgjatë gjithë natës. Ishte e tmerrshme kur na lajmëroi nusja e vëllait. Na tha që erdhi dhe e thirri një shok për të dalë. Telefonin e kishte lënë në shtëpi. Ajo u bë merak dhe kishte lajmëruar policinë që nuk po vinte burri në shtëpi…na lajmëroi edhe neve”, tregon vëllai i viktimës.
Jani tregon se si e ka parë vendin e ngjarjes.
“Ishte një krim i vërtetë, masakër me kallashnikov. Mjeti kishte gjurmë të forta frenimi. Xhami i makinës ishte i thyer, që duket i kanë zënë pritë. Më pas, nuk dihet nëse vëllai ka dalë vetë nga makina, nëse ka qënë gjallë, apo e kanë tërhequr zvarrë për gati 1 kilometër. Por gjurmët e gjakut kishin mbuluar të gjithë rrugën, nga makina deri tek vendi ku u gjet i pajetë”, tregon ai.
Vëllai i 39 vjeçarit të vrarë kërkon drejtësi nga shteti.
“Policia punoi mbrëmë dhe për këtë i falënderoj. Por dua që të vendoset drejtësi. Autori të kapet e të dënohet për këtë vrasje. Vëllai nuk kishte konflikte me njeri, do ma kishte thënë. Kishte një pikë të përpunimit të druve dhe i shpërndante. Punonte me të shoqen. Ka lënë pas një djalë jetim 12vjeçar”, thotë Jani.