Kreu i grupit parlamentar të PD, deputeti Edi Paloka ka hedhur akuza drejt Kryeministrit Rama, duke e cilësuar si një piktor shëtitës, që në vend që të ndodhet në parlament, shkon dhe kryen uhdëtime për të hapur ekspozitat e “shkarravinave” të tij. Paloka vuri në dukje se Kryeministri ka dy muaj që mungon në seancat plenare të parlamentit.
“Një kërkesë tjetër që kam, ka gati dy muaj që kryeministri Shqipërisë nuk është në sallën e kuvendit. Po bëhet dy muaj që Rama nuk është në kuvend. Ne nuk kemi zgjedhur një piktor shëtitës që çdo muaj të hapë ekspozita me shkarravinat e tij. Ka dy muaj që s’e sheh njeri me sy.”- tha Paloka.
Aktualisht, kryeministri Rama, me ftesë të kryeministrit francez Valls, ndodhet në Paris, për një vizitë zyrtare.
Pas kësaj ka reaguar kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi, i cili i ka sugjeruar opozitës që në vend që të ankohet të kërkojë, në të drejtën e tyre ligjore, një interpelancë me kryeministrin.
“Kryeministri jo vetëm që ka qenë prezent këtu, por kolegëve të opozitës ua kam thënë. Depozitojeni në kuvend një interpelancë. Depozitojeni një kërkesë për mocion debati. Keni 3 javë që e trajtoni këtë çështje. Kryeministri ka axhendën e tij zyrtare. Gjeni rrugët dhe mjetet sesi mund të ballafaqoheni me kryeministrin.”
Teksa në parlament kërkohej prezenca e Ramës, zyra e shtypit e kryeministrisë shpërndau këtë foto të Ramës, që është në takim me homologun e tij francez Valls.