Ish-komandanti i ushtrisë serbe në Kosovë, gjeneral Vladimir Lazareviç, i dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për krime lufte në Kosovë, do të lirohet nga burgu, ndërsa për ta kthyer në Serbi nga Hagë do të udhëtojnë ministrat serbë të Mbrojtjes dhe Drejtësisë, Nikolla Selakoviç dhe Bratislav Gashiç. Tanjugut i është konfirmuar nga ministri i Drejtësisë se Lazareviç do të transportohet me aeroplan në Nish, në të cilin do të pritet nga ministri i Punës, Çështjeve Sociale, Veteranëve dhe Luftës, Aleksadar Vulin.
Lazareviçi është dënuar për përgjegjësi komanduese me 14 vjet burg për krimet në Kosovë, si komandant i korpusit të Prishtinës, e pastaj edhe komandant i armatës së tretë të ushtrisë jugosllave më 1998 dhe 1999, transmeton ksp. Ai ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ndërsa në Hagë, siç shkruan Tanjug, është dorëzuar vullnetarisht në vitin 2005. Fillimisht është dënuar me 15 vjet, ndërsa pas ankesës dënimi i është zvogëluar për një vit.