Autori i vrasjes në Kuçovë, V.P., dyshohet që të ketë zbrazur një karikator të tërë ndaj pronarit që i kishte marrë me qira stallën e derrave, duke e lënë të vdekur në vend.
Mësohet se në lokalin ku u bë vrasja në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin Goraj të Kuçovës, janë gjetur 62 gëzhoja automatiku.
Si fillim, autori i dyshuar dhe viktima ishin ulur për të pirë një kafe, por më pas, si duket situata është përshkallëzuar dhe V.P., pas përleshjes fizike me A.G., ka shkuar në drejtim të furgonit të tij dhe ka marrë armën e zjarrit.
Siç njoftoi edhe policia, 44-vjeçari dhe viktima kanë pasur konflikte të vazhdueshme me njëri-tjetrin. V.P., i kishte marrë me qira një stallë derrash A.G., por ankohej se ky i fundit e shante dhe e ofendonte çdo ditë.
Ndërkohë, mes lotësh, një banor i zonës, mik i viktimës në Kuçovë, ka treguar detaje të reja rreth krimit që ndodhi mëngjesin e sotëm.
I moshuari pohoi se viktima kishte qenë për darkë mbrëmë në shtëpinë e tij, ndërsa theksoi se ai ishte një njeri shumë i mirë.
Ai tha se nuk ishte në dijeni nëse kishte pasur ndonjë konflikt me autorin e dyshuar të ngjarjes.
“Kur erdha unë, çdo gjë kishte mbaruar. Unë erdha në dashamirësi. Erdha se e kam shok këtë që u vra. Mbrëmë ishte tek unë hëngri bukë. Nuk di gjë për lidhjen e tyre, njihja vetëm Ajetin (qan) E pata mbrëmë në shtëpi, hëngri bukë me çunat e mi, ishte një njeri shumë i mirë. Kjo që ndodhi, ndodhi.”, tha i moshuari. Pas krimit, autori i dyshuar i ngjarjes është vënë menjëherë në pranga nga policia.
g.kosovari