Deputeti i opozitës parlamentare Halit Valteri ka shpërthyer në akuza në parlament ditën e sotme ndaj biznesmenit Shefqet Kastrati dhe qeverisë. Valteri tha se Kastrati ka marrë porte e aeropore dhe një drejtor doganash, duke pyetur nëse cenohet kështu siguria kombëtare.
Ai i kërkoi prokurorisë një bilanc duke theksuar se janë çuar disa çështje në SPAK.
“Qytetarët shqiptarë besuan dhe shpresuan fort se reforma në drejtësi do të sillte një prokurori profesionale dhe do të udhëhiqej nga zbatimi i ligjit dhe pavarësia. Kishte shumë syresh që ishin skeptikë për atë që po komentohej lartë e poshtë në media dhe kancelaritë perëndimore, por fakti që mes nesh dhe gjithë kësaj ishte ambasada e SHBA-ve sigurisht i dha kredibilitet draftit të reformës në drejtësi dhe ktheu besimin e qytetarëve se më në fund do të kishte një drejtësi të pavarur dhe profesionale. Asistimi gjithashtu i BE-së ishte vlerë e shtuar se më në fund gjërat në Shqipëri po lëviznin dhe po afronte koha e llogaridhënies për çdo mëkatar të ligjit. Votimi i 21 korrikut 2016 me 140 vota pro i miratimit të ndryshimeve kushtetuese duke i hapur rrugë kështu reformës më të rëndësishme të shtetit shqiptar pas rënies së komunizmit nuk rezultoi gjë tjetër veçse një mundësi mjaft e mirë e disa politikanëve për të sistemuar ca punë të tyre. Ndërsa prokuroria nuk është gjëkundi. Nuk e dimë sot se si do ta mbronte prokurori, zoti Çela punën e dikasterit që i drejton prej një viti tashmë dhe është bërë dhe me çfarë bilanci do të vinte në këtë sallë.
Në harkun kohor të një viti kanë ndodhur mjaft ngjarje, atentate stil mafioz dhe kanë tronditur opinionin publik dhe mjaft padrejtësi të tjera që i janë bërë qytetarëve, por institucioni i prokurorit nuk ka bërë asgjë. Kemi zyrtarë shteti që abuzojnë ditën për diell dhe prokuroria nuk referon asnjë dosje në SPAK. Por njësoj si dikur dokumentet hetimore mbyllen pa rezultat. Sot kemi qeverinë më të korruptuar në raport me ligjin por asgjë nuk ndodh. Jemi koshientë që korrupsioni është ulur këmbëkryq në qeverinë tuaj”, tha Valteri.
Sipas tij, vendime të tëra janë produktesh afera korruptive dhe ryshfeti është përballë kësaj dhe nuk mund të bëjmë asgjë pasi unë dhe populli nuk besojmë tek ju. “Keni kapur drejtësinë dhe gjithçka në vend. Organi i akuzës duhet të drejtohet nga policia dhe bizneset e lidhura me politikën. Vetëm vitin e kaluar kemi çuar disa denoncime në SPAK. Por çfarë ndodhi? 300 milionë euro i dhatë Ndue Kolës për Milot-Balldren, tani po i thoni çoje në Arbitrazh, fito 50 mln euro dhe po bëni skemën e Bexhetit dhe po ia jepni italianëve. Shefqet Kastratit i keni dhënë plot 500 milionë euro tendera sot. Rrugën e Kombit, Porto Romanon, tashmë do blejë dhe aeroportin e Rinasit. Pyetja është që një biznesmen ka një aeroport, ka një port, ka vënë dhe një drejtor doganash. A është e kërcënuar siguria kombëtare kur ortaku i Lonit të Bankersit që vjedh pasuritë kombëtare drejton shtetin dhe disa ministra prej jush. Sjell në këtë parlament disa deputetë me paratë e tij, financon qeverinë, opozitën. Shumë këtu e kanë mbyllur gojën nga Kastrati. Pse nuk çoheni të flisni për njeriun që vjedh shqiptarët?
Kujdes me ligjet që votoni dhe anëtarët që çoni në gjykatën kushtetuese sepse janë njerëz që paguhen nga oligarkë”, deklaroi Valteri.