Projekt-buxheti i vitit 2016 sa i përket strehimit është krejt i pamundshëm për përmirësimin e jetesës së komunitetit Rom dhe Egjiptian. Realisht, fondi i alokuar për strehimin i 2016 krahasuar me vitin 2015 është 16% më i lartë, kurse për romët do shkojnë 113.8 milion për përmirësimin e kushteve të jetesës, por megjithatë ai thjesht do ndihë familjet me qira, referuar aktivistëve të saj…
Nga Ben Andoni
Edhe pse përmes Ministrisë së Zhvillimit Urban (MZhU) është konsideruar si një hap i mirë ajo që po bëhet në lidhje me fondin për strehimin e shtresave në nevojë, duket se komuniteti rom dhe egjiptian është sërish shumë larg zgjidhjes së problematikës së tij. Të paktën, këtë e konfirmon Gentian Sejrani, aktivist i njohur i “Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome”, që në një kalkulim të thjeshtë bërë me kolegët e tij, mëton se në të gjithë Shqipërinë do të asistohen vetëm 80 e pak familje të këtij komuniteti për subvencionimin e qerasë. Kuptohet se kjo shumë është për lehtësimin e qirasë dhe jo për zgjidhjen afatgjatë të problematikës së tyre të strehimit. Referuar MZhU-së, fondi për strehimin prej 478.9 milionë Lekësh krahasuar me vitin 2015 është 16% më i lartë, kurse për Romët do shkojnë 113.8 Milion Lekë për përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre…
Romët
Sipas analizës së studimit (UNDP, 2014b, f. 21) numri i aplikantëve në vend gjatë periudhës 2005-2014 për të gjitha programet e strehimit social së bashku është 35.011 . Sipas censusit të popullsisë Rome realizuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë 15% e familjeve Rome ose 637 familje jetojnë në kasolle/baraka në kushte krejtësisht të papranueshme. Gjithashtu 68% e familjeve rome karakterizohen nga pasiguria e aksesit në banesë. Duhet sqaruar se pjesa më e madhe e familjeve Rome jeton në banesa të vogla, pa disponuar edhe sipërfaqen më të nevojshme me aksesorët e duhur për banim, 46% e familjeve ose rreth 2000 familje jetojnë në një banesë me një dhomë, 33% jetojnë në një hapësirë me 2 dhoma ndërsa rreth 16% jetojnë në një hapësirë me 3 dhoma . Problematikat e tyre shtrihen në bashki dhe komuna si Fushë-Kruja, Roskoveci, Lushnje, Gjirokastër, Rrogozhinë, Tiranë, Kavajë dhe disa zonave rurale të rretheve Fier, Lushnje dhe Vlorë.
Qeveria shqiptare kish llogaritur që për 300 ditët e dyta, do vinte në jetë një projekt, ku për zbatimin e të cilit Ministria e Zhvillimit Urban ka planifikuar fonde në PBA (2015-2017) dhe në buxhetin vjetor për vitin 2015. Objektivi primar mbetet të përmirësojë kushtet e banimit për rreth 171 familje Rome dhe Egjyptiane, e si rezultat i kursimeve në tendera MZHU parashikon të mbështesë me këtë program 192 familje. Kurse sa i përket parashikimit afatmesëm për vitin 2016 është të përmirësojë kushtet e banimit për rreth 183 familje Rome dhe Egjiptiane
Protesta
Por a është e mjaftueshme kjo? Po të shikosh të dhënat ngatërrohesh, por aktivistët e lëvizjes rome dhe egjiptiane, duke u këshilluar me specialistë kanë parë se fondet janë krejt të pamjaftueshme. Dhe, ishte kjo arsyeja, që gati një javë më parë (24 Nëntor) disa të rinj kanë dorëzuar një peticion me 5600 firma të qytetarëve shqiptar drejtuar Parlamentit. Peticioni kërkonte që deputetët të marrin seriozisht shqetësimin së në projekt buxhetin e shtetit të vitit 2016 fondet për strehimin social janë shumë të vogla dhe se nuk parashikohet asnjë buxhet për ndërtimin e banesave sociale të cilat janë e vetmja alternativë për familjet e varfëra pa një strehë.
Dhe, sipas llogaritjeve të tyre, të pastrehët do kenë të njëjtin fat edhe për 70 vitet e ardhshme. Situata e strehimit në vendin tonë është shumë shqetësuese dhe janë rreth 35 mijë familje shqiptare, që gjenden përballë këtij realiteti. Dhe, në këtë shumë konsiderohen vetëm familjet të cilat kanë aplikuar për strehim social nga 45 qytete të vendit, ku në dekadën e fundit përfituan vetëm 5 mijë. Të rinjtë, që janë ndjekur shumë nga media, i kërkuan deputetëve të reflektojnë por edhe të rishikojnë zërin e buxhetit për strehimin social me qëllim dyfishimin e tij dhe miratimin e një shpërndarje më të drejtë midis financimit të programeve që i shërbejnë familjeve me të ardhura të mesme kundrejt familje me të ardhura të ulta.
Edhe SOROS
Nga ana tjetër, qysh më parë se të fillonte diskutimi për projekt-buxhetin, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe aktivistët romë i bënë me dije të gjithë deputetëve të vendit shqetësimin lidhur me nivelin e pamjaftueshëm të financimit të strehimit social. Argumentimi i tyre ishte se sipas Parashikimit të Buxhetit Afatmesëm (PBA, 2016-2018) si dhe projekt buxhetit të vitit 2016 gati 3/4 e fondeve alokohet për produkte që lidhen me Planifikimin Urban, ku strehimi social merr më pak se 27% të buxhetit. Në një letër dërguar seicilit deputet (por që për fat të keq shumica e deputetëve të telefonuar ishin të panjohur me ekzistencën e saj) shkruhej: “…është parë se produktet e strehimit kanë pasur luhatje në vite. Për periudhën 2014-2016 vihen re ndryshime nga njëri vit në tjetrin. Buxheti për strehimin social rezulton me ulje të konsiderueshme krahasuar me buxhetin e vitit 2014, ashtu sikur rezulton me ulje të lehtë krahasuar me buxhetin e vitit 2015
Shifrat e buxhetit në mbështetje të strehimit për periudhën e PBA përfshirë dhe vitin 2016 janë mjaft të ulta dhe nuk i përgjigjen aspak nevojës për strehim social në shkallë vendi. Kujtojmë që sipas analizës së studimit (UNDP, 2014b, f. 21) numri i aplikantëve gjatë periudhës 2005-2014 për të gjitha programet e strehimit social së bashku është 35.011 . Po i njëjti studim tregon se numri i përfituesve në programet e strehimit social gjatë periudhës 2005-2014 është 5.021 , pra vetëm 14% e kërkuesve të pastrehë”.
Ku shkon
Në të njëjtën letër argumentohej se pjesa më e madhe e buxhetit për strehimin shkon për produktin e ashtuquajtur G, “Familje që përfitojnë kredi të lehtësuar”, ndërkohë që studimet tregojnë se pjesa dërrmuese e përfituesve nga ky produkt konsiderohen familje me të ardhura të mesme çka dëshmon se familjet me të ardhura të ulëta apo shumë të ulëta nuk mund të përfitojnë për shkak të aftësisë se pakët paguese. Dhe, kuptohet se shqetësimi s’mbaron këtu. Ndërtimi i banesave sociale nuk përfshihet në projektet kryesore të qeverisë në buxhetin e v. 2016. Të vetmet fonde do shfrytëzohen për mbylljen e projektit të banesave sociale në qytetin e Durrësit, kurse mungojnë programet që tagetojnë familjet e varfra apo me të ardhura të mesme të ulta. Nuk parashikohet asnjë fond për ndërtimin e banesave të reja sociale sikurse nuk vihet re asnjë produkt për mbështetjen e bashkive për të zbatuar skemën e bonusit të strehimit (subvencionimi i qerasë së banesës për ato familje të varfëra të cilat jetojnë në banesa me qera të siguruara në tregun e lirë) , i referohemi letrës që i është bërë të gjithë deputetëve.
…
Ndërkohë që autoritetet e shtetit shqiptar përmes Ministrisë së Zhvillimit Urban kanë bërë me dije se programi që lidhet me përmirësimin e kushteve të banimit për komunitetin Rom dhe Egjiptian në njësitë e qeverisjes vendore, i krijuar për herë të parë nga qeveria Rama, dedikuar kësaj fashe të popullsisë shumë në nevojë, për vitin 2016 kap shifrën e 113.8 milionë Lekëve. Dhe, i gjithi do të shkojë për investimin dhe zbatimin e projekteve për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit Rom dhe Egjiptian, nga të cilat pritet të përfitojnë 183 familje rome dhe egjiptiane, në disa bashki të vendit! Një shifër e largët për shqetësimet reale të tyre.
Ajo, që mund të thuhet në përfundim është se: komuniteti rom dhe egjiptian gjendet realisht përballë vështirësive të mëdha, sa i përket mbijetesës në të gjitha fushat. Nuk mjafton arsimimi i munguar i fëmijëve, niveli i ulët i jetesës, por edhe mundësitë e pakta për strehim, që e bëjnë cilësinë e jetës së tyre tepër të ulët dhe të pamjaftë për të gjeneruar energji për integrimin në shoqëri. Për më tepër edhe ky buxhet i ri nuk premton më shumë.
Të dhëna të SOROS për romët
-15% e familjeve Rome ose 637 familje jetojnë në kasolle/baraka në kushte të vështira
-68% e familjeve Rome karakterizohen nga pasiguria e aksesit në banesë
(29% jetojnë në banesa pa dokumente dhe të papërfshira në procesin e legalizimit)
-6% jetojnë në banesa në pronësi të njësive të qeverisjes vendore
-8% jetojnë në banesa të të tjerëve
-15% deklarojnë se jetojnë në banesa për të cilat ka nisur procesi i legalizimit
-46% e familjeve ose rreth 2000 familje jetojnë në një banesë me një dhomë
-33% jetojnë në një hapësirë me 2 dhoma
-16% jetojnë në një hapësirë me 3 dhoma