Problemet e grumbulluara në fushën ekonomike, nuk mund të tejkalohen brenda natës. Ato kërkojnë qasje serioze dhe një përkushtim më të gjithanshëm, jo vetëm të institucioneve shtetërore por edhe të mbarë shoqërisë, përfshi edhe sistemin e drejtësisë. Kjo e fundit duhet të jetë filtri më i besueshëm ku do të ndahej llumi që vjen prej ryshftegjinjëve të lidhurt me pushtetin dhe afarizmit të ndershëm, i cili bën të pamundurën që me punë dhe sakrifica të mëdha të ndikojë në mëkëmbjen ekonomike e sociale të Kosovës
Nga Mehmet PRISHTINA
Ekonomia e Kosovës i ka dritë-hijet e veta dhe për rrjedhojë ajo i ka dy narrativa. Në njërën anë e kemi narrativën e afaristëve të suksesshëm, të cilët pas shumë pengesave, arrijnë të strukturojnë biznesin e tyre në suaza të një ecurie që ata arrijnë ta mbajnë nën kontroll dhe, në anën tjetër, e kemi narrativën shtetërore, e cila nuk po arrin ta sigurojë dhe mbrojë zhvillimin ekonomik nga informaliteti, nepotizmi dhe nga përpjekjet abuzive të njerëzve të veshur me pushtet, të cilët në emër të institucioneve që përfaqësojnë kërkojnë ryshfete për ndërmjetësim dhe në këtë mënyrë i dëbojnë investitorët e huaj.
Shqetësimet e investitorëve të huaj dhe padrejtësitë ndaj afaristëve vendorë
Po të zhvilloni një anketë me investitorët e huaj, do të hasni në disa shqetësime që ata i kanë pasur, siç mund të jenë: mungesa e mbështetjes institucionale dhe lehtësirave për investime të huaja, procedurat e stërzgjatura burokratike për realizimin e investimeve te huaja, problemet në sektorin e energjisë elektrike, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, mungesa e sigurisë juridike, mosfunksionimi i sistemit gjyqësor – procedurat e stërzgjatura të kontesteve gjyqësore dhe mungesa e sundimit te shtetit ligjor dhe korrupsioni.
Ditëve të fundit në media u raportua se një pronar i një kompanie prodhuese në Kosovë ka hequr dorë nga pjesëmarrja në ofertat e tenderimit publik, pasi, siç thotë ai, aty mund të fitojnë “vetëm kompanitë, të cilat pranojnë të japin ryshfet”. Ai thotë se ka konkurruar disa herë për tender publik, porse nuk ka arritur të përzgjidhet dhe në fund ka hequr dorë, pasi që sipas tij, është e kotë nuk mund të shtyhesh me kompani, të cilat japin ryshfet dhe e korruptojnë institucionin.
Që të jetë edhe më tragjike situate, ka pasur raste kur një kompani ka fituar një tender, por e ka rrëzuar Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), duke thyer ligjet dhe duke nxjerrë vendime sipas favoreve.
Sikundër dihet OSHP-ja është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara në Ligjin e prokurimit publik. Brenda vitit janë rreth 700 milionë euro të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik.
Mirëpo, siç ankohen afaristët e ndryshëm, korrupsionin e hasin në baza ditore në gati të gjitha institucionet e shtetit, ku ata duhet të kryejnë punë. Ka jo pak kompani të cilat kanë pasur rastin të përballen me korrupsionin si në gjykata, prokurori, ku zakonisht aty ka shumë lëndë që janë lënë të pauzuara, por krejt kjo ka ndodhur me ndikimin e kompanitë të tjera, të cilat ndikojnë në vendimet përfundimtare të gjykatave, ku zakonisht dalin fituese ato që janë të lidhura me segmente të caktuara
Afaristët dhe prodhuesit e ndryshëm ankohen gjithashtu edhe për prezencën e korrupsionit nëpër komuna, ku ka jo pak raste kur zyrtarë të inspektoratit komunal kërkojnë favore për të kryer punë që me ligj janë të obliguar t’i kryejnë pa pasur nevojë për të dhënë ryshfet.
Kush po e stimulon biznesin informal?
Dukuria e korrupsionit, që është theksuar edhe në disa raporte ndërkombëtare, e ka vështirësuar në masë të madhe të bërit biznes në Kosovë. Krijimi i një konkurrence të pabarabartë në treg, e ka dëmtuar biznesin formal. Për pasojë ndodhë që një kompani joformale, e cila iu ik obligimeve shtetërore duke dhënë ryshfet, në një tender publik është në pozitë më të mirë, pasi që do të dalë me një çmim më të lirë krahasuar me bizneset, të cilat punojnë në mënyrë formale. Sipas Ligjit të prokurimit publik, autoriteti kontraktues do t’ia japë kontratën publike operatorit ekonomik që ka dorëzuar ofertën me çmimin më të ulët dhe ekonomikisht më të favorshëm në bazë të kritereve dhe peshën që është specifikuar në dosjen e tenderit.
Merimanga e korrupsionit në Kosovë është mjaft e ngatërruar, sepse njerëzit nuk kanë edhe ku të ankohen, dhe sidomos është për të ardhur keq që në këtë rrjet të ndytë merimange janë future edhe segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë. Kjo e fundit në vend se t’i ndjek zyrtarët në institucione, të cilët bllokojnë punët në disa fusha të biznesit, duke ta bërë me dije pronarëve që duhet dhënë diçka (para ) për ta kryer atë punë që ke pasur ta kryesh në atë institucion, fatkeqësisht është bërë pale me këta zyrtarë të korruptuar, duke u nxjerrë lloj-lloj pengesash pronarëve të kompanive.
Edhe në perceptimin publik, korrupsioni po tregon ngritje të frikshme. Në një studim të publikuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë më 9 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, vihet në pah se rreth 42 për qind e të anketuarve besojnë se krahasuar me pesë vjet më parë, korrupsioni në Kosovë është rritur, ndërkohë që përafërsisht 40 për qind e të anketuarve raportojnë se kanë hasur në korrupsion, që është një rritje prej 20 për qind krahasuar me studimin e vitit 2019.
Ndërsa, më shumë se 45 për qind prej tyre i kanë renditur komunat si institucionet parësore ku është hasur korrupsioni, ndjekur nga 35 për qind të cilët kanë vlerësuar Administratën Tatimore të Kosovës. Kjo e fundit, nga 80 monitorime, janë regjistruar 30 raste të shkeljeve në rastin e prokurimit publik. Këtë shifër e ka bërë publike drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, i cili për Radion Evropa e Lirë ka thënë se si agjenci në aspektin e parandalimit të korrupsionit në aktivitetet e prokurimit publik, si fusha më e korruptuar në vend, në këtë vit kanë trajtuar rreth 80 monitorime. Nga këto monitorime kanë lëshuar 34 opinione për autoritetet kontraktuese me qëllim shmangien e shkeljeve kundërligjore. Ai bën të ditur se bizneset kryesisht nuk e raportojnë korrupsionin në agjenci, dhe se këtë e bëjnë te mekanizmat tjerë.
Pengesat e të bërit biznes, si pasojë e korrupsionit të segmenteve të caktuara shtetërore, kanë zënë vend edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian. Sipas këtij raporti i publikuar në tetor është theksuar se korrupsioni në Kosovë është i përhapur dhe vazhdon të jetë një shqetësim serioz. Aty ishte theksuar se nuk ka vullnet të fortë politik për të adresuar në mënyrë efektive çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin si dhe një përgjigje të fuqishme të sistemit juridik ndaj korrupsionit të nivelit të lartë.
Kosova edhe në raportet e Bankës Botërore të quajtur “Të bërit biznes”, ishte kritikuar për nivelin e lartë të korrupsionit, dukuri kjo e cila pengon zhvillimin e biznesit.
Ndërkaq, në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve ishte theksuar se potenciali i investimeve të huaja direkte dhe rritja ekonomike në Kosovë, përveç tjerash, janë të kufizuara edhe nga korrupsioni.
Pasojat nga pandemia
Krahas problemeve që evidentuam më lartë, ekonomia e Kosovës tash së fundi u ballafaqua edhe me një sfidë, e cila është e përmasave globale. Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore te Kosovës, ekonomia e vendit këtë vit pritet të shënojë rënie prej rreth 7.2 për qind si rezultat i masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të cilat ndikuan negativisht në pothuajse të gjitha aktivitetet ekonomike në vend.
Por, edhe në këtë segment, nuk mund të themi se institucionet shtetërore arritën të zbusin në masë të duhur goditjet e krizës shëndetësore mbi ekonominë. Nga rreth 1 miliard euro humbje sa vlerësohet se shënuan bizneset në Kosovë gjatë pandemisë me COVID-19, Qeveria e Kosovës, deri më tani, i ndihmoi ata me vetëm rreth 150 milionë euro. Në pakon emergjente të Qeverisë së Kosovës në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, bizneset gëzuan një mbështetje financiare prej mbi 60 milionë euro. Me këto mjete ishte paraparë mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 eurosh për 2 muaj, subvencioni i qirasë deri në 50 për qind të vlerës e të tjera.
Ndërkaq, nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës, i cili kap vlerën e më shumë se 350 milionë eurove, u ndanë 60 milionë euro për biznese, në bazë të listës së numrit të punëtorëve. Por, krahasuar me ndihmën që ka dhënë shteti për bizneset, humbjet janë shumë herë më të mëdha. Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane, Aleancës Kosovare e Biznesit, Odës së
Afarizimit dhe shumë organizata të tjera ekonomike kërkuan ndihmë nga qeveria për bizneset, por, që ndihma që shteti ndau, u vlerësua se nuk ishte e mjaftueshme.
Vetëm, sipas të dhënave të fundit të Administratës Tatimore të Kosovës, bizneset në Kosovë kanë pasur afër 1 miliard euro më pak qarkullim gjatë periudhës së pandemisë, krahasuar me vitin e kaluar.
Të hyrat e aktiviteteve ekonomike që u prekën më së shumti nga pandemia COVID -19, sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP është industria e ndërtimit, pasuar nga tregtia, transporti, akomodimi dhe gastronomi.
Zhvillimet e pafavorshme në ekonomi janë reflektuar edhe në të hyrat buxhetore, ku sipas Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës deri në fundin e vitit 2020, do të ketë rreth 300 milionë euro më pak të hyra për buxhetin e Kosovës.
Ndërkohë, gjatë periudhës shkurt – tetor, sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë, janë mbyllur 761 biznese, të cilat kanë pasur të punësuar 1,316 punëtorë. Numri më i madh i bizneseve zyrtarisht të mbyllura kanë punuar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga industria përpunuese, hoteleria dhe akomodimi. Në listën e bizneseve të mbyllura figurojnë edhe biznese në fushën e ndërtimit, informimit dhe komunikimit dhe sektorë të tjerë.
Goditja e rëndë ekonomike është reflektuar edhe në rritjen e papunësisë, pasi që masat për parandalimin e koronavirusit ndikuan që shumë biznese të reduktojnë numrin e të punësuarve. Numri i saktë i personave që kanë humbur vendin e punës nuk dihet, por Oda e Ekonomike e Kosovës dhe ajo e Afarizmit kanë thënë se kemi të bëjmë me rreth 30 mijë të punësuar që gjatë pandemisë mund të kenë humbur vendin e punës.
Numri i qytetareve të regjistruar si të papunë në Agjencinë e Punësimit, shënoi rritje në këtë periudhë. Sipas të dhënave të APK-së numri total i të regjistruarve si të papunë deri në korrik është mbi 180 mijë.
Problemet e grumbulluara në fushën ekonomike, nuk mund të tejkalohen brenda natës. Ato kërkojnë qasje serioze dhe një përkushtim më të gjithanshëm, jo vetëm të institucioneve shtetërore por edhe të mbarë shoqërisë, përfshi edhe sistemin e drejtësisë. Kjo e fundit duhet të jetë filtri më i besueshëm ku do të ndahej llumi që vjen prej ryshftegjinjëve të lidhur me pushtetin dhe afarizmit të ndershëm, i cili bën të pamundurën që me punë dhe sakrifica të mëdha të ndikojë në mëkëmbjen ekonomike e sociale të Kosovës.
Prishtinë, 13 dhjetor, 2020