Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla i ftuar në rubrikën ‘’Opinion’’ në News24 ka komentuar ngjarjet e fundit në Shqipëri lidhur me vrasjen e Klodian Rashës nga polici dhe protestat në Tiranë e Shqipëri.
Taulant Balla sa i përket vrasjes thotë se rrethanat deri më tani e bëjnë me faj efektivin, por jo gjithë strukturën e Policisë së Shtetit. Sipas Ballës as Lleshaj nuk kishte faj në atë ngjarje, por zbatoi standardin e vendosur nga qeveria e cila nuk pret të reflektojë kur protestohet.
Për më tepër Balla thekson se në pesë protestat e zhvilluara në Tiranë ka gisht PD dhe LSI, dhe i drejtohet familjeve shqiptare që mos lejojnë që fëmijët e tyre të keqpërdoren nga partitë dhe të paguhen për të shkatërruar pronën publike.
Balla zbulon gjithashtu se dje ka marrë informacione nga terreni se në disa qendra qytetesh në Shqipëri protestat për vrasjen e Klodian Rashës janë organizuar të gjitha nga degët e PD.
”Së pari më lejoni të them dy vlerësime për aktin e rëndë të humbjes së jetës së një njeriu. Ska asgjë më të rëndësishme se jeta, dhe rrethanat bëjnë me faj punonjësin e policisë, por kurrsesi tërë strukturën e Policisë. Shpreh ngushëllimet për familjen dhe të nxis institucionet e prokurorisë, që ti shkojë çështjes deri në fund, dhe përgjegjësia të jetë ndaj personit që ka marrë jetën e një djali të ri.
Kjo është pjesa që lidhet me atë që ka ndodhur sot e një javë më parë. Pjesa që ka pasuar. Vetë jam person që kam organizuar protesta, dua të them që asnjëherë protesta nuk është një problem, është shprehje e demokracisë, por duhet marrë në disa rrethana.
Jemi në situatë të jashtëzakonshme, pandemi, që ka pamundësuar grumbullimet. Edhe në disa djem e vajza të reja, u keqpërdorën nga elementë të infiltruar dhe nga ata që nuk gjejnë rast të përdorin politikisht edhe vdekjen. Opozita bën politikë me numrat e të vdekurve nga coviD-19, me një rast flagrant, që Policia dhe Prokuroria kanë vijuar. E pakuptimtë si një person si Sali Berisha, që ka dhënë urdhëra për vrasje në bulevard, të marrë përsipër avokatinë për Klodian Rashën.
Thirrja ime për çdo familje shqiptare është, ju lutem mos i lini fëmijët të keqpërdoren nga politikanët. Kush ka bërë politikë me vdekjen, ka pasur fund të keq.
Dua të them që referuar asaj që thatë, ndërkohë që Italia, Gjermania, Franca hyjnë në Lock-Doën të ri, gjithë këto ditë që kemi kaluar kanë qenë aleat i armikut të padukshëm. Çdolloj sjellje e paligjshme, mirëkuptoj të protestosh, edhe pse nuk lejohen më shumë se 10 veta grumbullim. Nuk e di ku është faji i semaforëve, tabelave, bizneseve private.Çdo qindarkë na duhet për pandeminë për rindërtimin, ne merremi me paudhësitë e rrugës.
E thashë, që në kushtet e një ideje për të ngritur zërin për drejtësi është e pranuar. Nuk gjej dot mendje shqiptari të ndershëm që për të kërkuar drejtësi për Klodianin, t’i vënë zjarrin shqipërisë. Janë përpjekur për vite Saliu, Iliri, Luli e Monika. Një vit më parë e patë. Për fat të mirë s’kanë munguar të dalin edhe vetë, dje kishte përfaqësues të LSI. Kam marrë dje një informacion nga territori që PD ka organizuar protesta në qendra qytetesh. Kjo prirje e kësaj politike të errët, për t’u marrë me vdekjet. Filloi me vdekjet nga COVID-19. Prandaj them që familja Rasha s’ka nevojë për ngushëllimet e Berishës, Metës, Bashës e Kryemadhit, por për drejtësi.
Ajo që është vendosur standard në 2011, në 21 janar të 2011 me urdhër të Berishës dhe ekzekutor Bashën humbën jetën 4 qytetarë. Mund të bëjmë një diskutim, më thërrisni një ditë edhe. Më 21 janar isha një nga protestuesit, dhe Prokuroria vendosi disa masa arresti për ekzekutorët, jo për urdhëruesit. Policia e asaj kohe nuk zbatoi urdhërin e Prokurorisë.
Për Klodian Rashën u morën masa menjëherë, Policia e arrestoi. Prokuroria nisi menjëherë dhe besoj se do bëhet një zbardhje e plotë. Tentativë për të manipuluar ngjarjen?
Unë nuk dua të hyj në këtë diskutim. Dua të vazhdoj standardin, pse ne nuk jemi njëlloj. Ka ndodhur ngjarja, dhe pas kësaj ngjarje ministri i brendshëm i ofroi dorëheqjen kryeministrit. Vite dritë larg nga ata që vrisnin në mes të bulevardit. Donin të fabrikonin se ishin vrarë më 21 janar nga brenda protestues. Ajo që është më e rënda dhe që duhet të zgjonte indinjatën, dhe që duhet të zgjojë indinjatën, Sali Berisha thoshte se ishte krenar që kishte vrarë dhe do vriste edhe lidershipin e PS nëse do kishte mundësi. Dorëheqja e Lleshajt edhe pse pa faj, është standard që ne e kemi vendosur. Përfitoj nga rasti që çdo familje shqiptare, që vajza apo djali i saj përdoret politikisht nga PD-LSi mos e lërë fëmijën e tij të paguhet nga ata që të dëmtojë ato që paguajnë vetë.
Kam dëgjuar këto ditë, që dilte të shtunën në darkë dhe thoshte fëmijët tanë janë arrestuar në Polici. Gënjeshtare, sepse këta nuk nxjerrin fëmijët e tyre, po fëmijët e shqiptarëve, me joshje jomorale. E papranueshme që kush dëmton pronën publike, çfarëdo qoftë ajo, dhe për më shumë edhe pronë private duhet të ndëshkohet. Jam dakord të shtrihesh në bulevard, të rrish e me muaj, por jo të dëmtosh. Kjo qeveri nuk pret protestën për të reflektuar, për të vendosur standardin.”- tha Balla.
/a.r