Autoritetet e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut sigurojnë se vaksinat kundër COVID-19 janë të sigurta dhe se po zhvillohen në platforma të verifikuara kurse të njëjtat paraqesin mënyrën e vetme për ta mposhtur pandeminë. Autoritetet kanë njoftuar se janë siguruar doza për të vaksinuar 60 deri 70% të popullatës, aq sa është e nevojshme që të arrihet imuniteti kolektiv.
Autoritetet e shëndetësisë në vend u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos bëhen pre e dezinformatave dhe lajmeve të rrejshme dhe se vaksinimi do të jetë plotësisht i sigurt.
Njoftohet se vendi ka siguruar 833.000 doza vaksinash për 400 mijë qytetarë, të cilët do të vaksinohen dy herë gjatë muajit Mars. Të gjitha vaksinat që janë pjesë e sistemit COVAX, janë të dëshmuar me efekte të mira dhe me sasi përkatëse të anti-trupave – thonë autoritetet e shëndetësisë.
Ndryshe, të dhënat e fundit flasin se numri i përgjithshëm i të infektuarve me COVID-19 në vendin tonë ka shkuar në 73.025, raste aktive janë 22.203, kurse janë shënuar edhe 2.096 viktima. Në mesin e 19 viktimave që u raportuan gjatë ditës së djeshme ishte edhe një mjek 41-vjeçar nga Bogovina e Tetovës, si dhe një i burgosur 72-vjeçar nga Burgu i Idrizovës, që kishte pasur një formë të rëndë të diabetit, për çka i ishte amputuar këmba.
Gjatë 24 orëve të fundit në COVID-qendrat e Shkupit janë shtruar 38 pacientë të rinj, kurse janë çregjistruar 16 të shëruar. Për momentin, numri i përgjithshëm i pacientëve që mjekohen në spitalet COVID të Shkupit është 491, kurse raportohet për rreth 30 shtretër të lirë.
/a.r